Dy rastet e konfirmuara/ Mediat e huaja: Ja ku e mori koronavirusin Shqipëria

Shqipëria shënon dy rastet e para me koronavirus. Babë e bir të kthyer nga Firence rezultojnë të infektuar, thotë Ansa, e cila thekson se vendi ynë ka pezulluar deri në 3 prill fluturimet me veriun e Italisë dhe të gjitha zonat e kuqe në territorin Italian.
Janë të paktën 8 destinacione italiane me të cilat fluturimet janë të shpeshta; të gjithë personat e mbërritur prej andej, e kanë të detyrueshëm vetëkarantimin, thotë agjensia e njohur italiane e lajmeve. Lajmin e përcolli shpejt dhe la Repubblica, që gjithashtu theksonte faktin se dy të infektuarit kishin qenë në Firence, duke mos e përditesuar ndërkohë me të rejat e fundit, që tregojnë se vetëm djali vinte nga Italia, dhe ka infektuar këtu të atin.
“Shqipëria konfirmon rastet e para me koronavirus, raportoi US News World Report që i mëshon idesë së 28 vjecari dhe babai i tij 54 vjeç janë në gjendje të qëndrueshme dhe pa komplikacione për shëndetin“. Ajo përmend marrjen e masave të menjëhershme për mbylljen e shkollave dhe ndalimin e fluturimeve me zonat e rrezikut në Itali, duke theksuar se mbi 400 mijë shqiptarë jetojnë në vendin fqinj, i përshkruar dhe si partneri kryesor i Shqipërisë përtej Adriatikut.
Ndërkohë, Corriere dell Umbria vetëm 4 ditë më parë shkruante se ekspertët po studionin rastin e Shqipërisë, pasi nuk po kuptohej sesi në këto kushte, nuk kishte ende asnjë rast të virusit.