Gazetarja e njohur, kunata e ish-luftëtarit të UÇK-së apelon: Kush e vrau Qerimin?

Mimoza Cika-Kelmendi*
Vrasja e Qerim Kelmendit, ditë më parë ishte një tronditje e madhe për familjen tonë, për shokët apo gjithë shoqërinë kosovare, për politikën apo për shtetin e Kosovës.
Thjesht dhe shqip: një vrasje makabër në mesnatë, një skenar preciz mafioz, një alarm për të gjithë.
Buja e madhe që shkaktoi kjo vrasje ngriti peshë një opinion të tërë, shkruar e cituar nga të gjitha mediet apo portalet shqip, gjermanisht apo anglisht. U vra një ish luftëtar i orëve të para, një UÇK-ist, mbi 20 vjet pas përfundimit të luftës.
Qerim Kelmendi ishte ndër të parët që e ka nisur angazhimin e tij kundër pushtuesit serb. Madje qysh 14 vjeç ai do niste këtë rrugëtim të gjatë deri në çlirim. Unë personalisht e njoha pas vitit 1990 si pjesë e familjes sime, por bashkë me të njoha nga afër shokët e tij tashmë Heronj të Kosovës si: Zahirin, Ardianin apo Ilirin, Xhemën, Edmondin, Fehmiun e Xhevën. Djem që lanë gjithçka pas edhe pse në vitet me të bukura të rinisë dhe u rreshtuan bashkë me te tjerët, aty ku e donte nevoja për një Kosovë të pavarur dhe të lirë.
Shiprtmadhi ishte djalë i zgjuar, me plot humor dhe mjaft i drejtpërdrejtë. Të gjitha siç i mendonte i shprehte, pa asnjë rezervë edhe kur ato që thoshte ishin me “rrezik”. Pikërisht kjo kurajo e tij, por mbi te gjitha ndershmëria për të thënë dhe mbrojtur vetëm të vërtetën, i frikësontë shumë të tjerë në Kosovë apo jashtë saj. Ai nuk e njihte kompromisin dhe as nuk trembej nga vdekja. Madje ai u plagos disa herë nëpër aksione e megjithatë nuk zmbrapsej nga angazhimi i tij.
Por pse u vra Qera? Kush e vrau trimin? Pse pikërisht tani?
Janë këto pyetje që shtrohen më të drejtë nga të gjithë pas asaj që ndodhi dhe që na ra si një bombë në mesin tonë. Spekulimet ndërkohë gumëlojnë…… Kush fshihet pas atentatit?
UDB-ja, disa LPK-ista,… Sali Berisha,..rugovistët…. apo…? Shumë të tjerë mendojnë se ishte një eliminim në prag të ndonjë ftese të Qerimit si dëshmitar në Gjykatën Speciale.
Gjithsesi këto janë thjesht spekulime.
Dihet se shumë gjëra mbi Raportet e Qerimit me ish anëtarë e LPK (PDK) ekzistonin dikur brenda një rrethi, por më pas zunë vend edhe në disa gazeta apo televizione. Viteve të fundit, falë rrjeteve sociale, “armiqësitë“ me disa politikanë nga dy Shqipëritë, e risollën në vëmendje përsëri Qerimin. Ai me shkrim dhe më zë ka shprehur gjithçka dinte për disa të vërteta mjaft të shëmtuara apo kriminale që kanë ndodhur gjatë periudhës se luftës, por edhe pas saj.
Them të vërteta, sepse po të ishin shpifje, të akuzuarit e kishin më kollaj ta dënonin me burg. Por për autorët e vrasjes ndoshta na ndihmon dikur Baton Haxhiu. Me siguri do t’na sjellë ndonjë xhevahir në studio dhe ai do ti tregojë mbarë Kosovës se kush janë autorët e vrasjes së Heroit tonë. Por pse kjo vrasje mizore? Pse pas pushkatimit me një breshëri plumbash e dogjën trupin e tij bashkë me makinën? Nuk ju mjaftoi vdekja e Shpirtmadhit? Për gjurmë nuk bëhet fjale se skenari ka kohe që është gatuar dhe realizimi ndodhi ashtu siç ata e kishin parashikuar. Mesnate, shi e furtunë dhe pritë.
Por sigurisht që edhe kjo pyetje e ka përgjigjen. Qerim Kelmendin e kishin frikë edhe kufomë të mbushur me plumba. E kishin frikë se mos ngrihej edhe i vdekur për të dëshmuar të vërtetat që ai kishte parë e përjetuar. Dëshmitë janë dhe ato do të godasin cilindo që i ka duart e lyer me gjak ndaj shqiptareve të pafajshëm. Dita e përballjes nuk është e largët.
Qerim Kelmendi është i pavdekshëm me veprën dhe heroizmin e tij. Ai mbetet simboli i luftëtarit të ndershëm dhe të panjollosur sikurse gjithë vëllezërit e tij, të cilët kanë një jetë të tërë që luftuan për këtë Kosovë që po gëzojmë.
Lavdi Heroit tonë!
*Autorja është gazetare, por dhe kunata e Qerim Kelmendit i vrarë pak ditë më parë Pejë