Vrasja e turistit 20-vjeçar në Ksamil, reagon qeveria e Portugalisë: Rastin po e ndjekim nga afër me autoritetet shqiptare, ka pasur arrestime por…

Qeveria e Portugalisë ka reaguar për ngjarjen në Ksamil dhe njofton se po ndjek rastin e vrasjes së turistit portugez Luis Miguel Varela Mendes, i cili u gjet në orët e para të së martës pranë plazhit të bar ‘Principotes’ i vrarë me thikë, krim për të cilin është arrestuar truproja i lokalit Sokrat Vata.

Media portugeze “Renascença” shkruan se Ministria e Jashtme portugeze është vënë në kontakt me autoritetet shqiptare, por deri tani nuk ka informacion zyrtar për atë që ka ndodhur dhe për veprimet e ndërmarra nga autoritetet në Tiranë.

Raquel Trindade, nga zyra e ministrit të Jashtëm të Portugalisë, tha për “Renascença” se rasti po ndiqet përmes ambasadës portugeze në Romë dhe konsullatës së nderit në Tiranë.

“Ministria e Punëve të Jashtme po ndjek rastin e këtij shtetasi portugez që humbi jetën në Shqipëri dhe, përmes ambasadës sonë në Romë, si dhe konsullatës së nderit në Tiranë, po e ndjekim çështjen me autoritetet vendase. Për momentin, ende nuk e dimë saktësisht se çfarë ka ndodhur. Nga mediat lokale dimë se ka pasur arrestime, por për momentin ende nuk kemi informacion përmes rrjetit tonë që mund ta përcjellim. Ministria e Punëve të Jashtme do të vazhdojë të ndjekë gjithçka që është e nevojshme, si me autoritetet vendase, ashtu edhe me familjarët”, tha Raquel Trindade për “Renascença”.

Sipas “Renascença”, duke iu referuar mediave shqiptare, 11 persona janë arrestuar në lidhje me vrasjen e 20-vjeçarit portugez.

Media portugeze shkruan gjithashtu se i dyshuari kryesor për goditjen me thikë është një 29-vjeçar, i cili ka precedentë në Mbretërinë e Bashkuar për vepra që lidhen me trafik droge, armëmbajtje dhe drejtim të rrezikshëm të automjetit.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT