“Shqipëria ‘91, trafik me 14 milionë fishekë”: Zbardhet korrespodenca “sekrete” e krerëve të ushtrisë për shitjen e armëve dhe municioneve, ja porosia e Ramiz Alisë
Korrespodenca “tepër sekrete” e krerëve të ushtrisë për shitjen në mënyrë shtetërore të armëve e municioneve. Porosia e Ramiz Alisë: Kujdes nga terroristët dhe provokatorët Leonard VeiziShteti kishte nevojë për para, armë kishte sa më s’bëhej. Financat nga bilanci i prodhimit të brendshëm bruto dhe i import-eksporteve ishin në nivelet e mbijetesës. Në fillimin e viteve ’90 për shumë sektorë lënda e parë mungonte, ndërsa punëtorët paguheshin me 80 për qind të rrogës nëse nuk prodhonin për këtë shkak. Në këtë kohë nevoja për valutë ishte çështje jetike në ditët e fundit të regjimit komunist në Shqipëri. Megjithatë ngurrohej, sepse dëshira dhe mundësia për të fituar dollarë binte në kundërshtim me motivin e tregtisë së armëve, apo thënë ndryshe: trafikut……Deri në vitin 1990 Shqipëria vetëm se kishte importuar armatim e municion nga Bashkimi Sovjetik, Koreja e Kina, por nuk rezulton të ketë eksportuar. Edhe pse dy uzinat e prodhimit të pushkëve dhe fishekëve, ajo e Gramshit dhe e Poliçanit prej më shumë se 20 vitesh kishin montuar çdo ditë, malli i tyre kishte shkuar për të plotësuar depozitat e njësive të ushtrisë, të cilat në kuotën e përcaktuar kishin jo pak armë e municion. Ato shkonin nga 2-3 mijë ton për çdo batalion, për të kaluar më tej tek rezervat e brigadës, divizionit e të armatës.Kërkesa për trafik municioniKërkesa e bërë në zyrat e tregtisë së Jashtme do të kalonte në atë të Mbrojtjes, por në lojë do të futeshin edhe elementë të tjerë nga ministria e Brendshme, për çdo rast. Sipas dokumenteve, ministri i Mbrojtjes i asaj kohe Kiço Mustaqi ndoqi me vëmendje procedura ligjore, dhe pasi mori sugjerimet profesionale të dy zv/ministrave të tij si dhe gjithë drejtorëve të ministrisë, kërkoi lejen nga komandanti i përgjithshëm Ramiz Alia për të shitur një kontingjent të vogël municioni, krahasuar me milionat e tonëve që kishte magazinuar ushtria në tunelet e saj. Flitej për të paktën 300 ton municion ose thënë ndryshe për 14 milion fishekë, 12 prej të cilëve ishin të kalibrit të vogël 7.62 mm ndërsa dy milion të tjerë të kalibrit 12.7 mm. Paralelisht u zhvillua një korrespodencë zyrtare brenda ligjeve të atij shteti me ministrin e Tregtisë së Jashtme, të Mbrojtjes dhe atë të Punëve të Brendshme, duke legalizuar veprimet e tyre me firmë e huaja që kërkonin armë dhe municion nga Shqipëria. Ishin ditët e vështira kur vetë drejtuesit komunistë po mundoheshin të transformonin shtetin, nga socialist të planizuar në atë të ekonomisë së tregut.
Dokumentet “tepër sekret”Materialet e mëposhtme kanë qenë të klasifikuara si “Tepër Sekret” në arkivin e ministrisë së Mbrojtjes. Në njërën prej tyre me numër protokolli “1993” ministria e Tregtisë së Jashtme, nëpërmjet Besnik Kapos si drejtor i “Tekno-import” vë në dijeni ministrin e Mbrojtjes Popullore, Kiço Mustaqi, se një firmë belge kishte bërë kërkesë për të blerë municion ushtarak prej rezervave të shtetit shqiptar. Në këtë kërkesë flitej për fishekë tip 7.62 x 54, me një sasi prej 12 milion copë dhe çmim blerjeje 80 dollarë për 1000 copë. Por kërkohej gjithashtu dhe fishekë tip 12.7 x 108, në sasinë 2 milion copë me çmimi 800 dollarë për 1000 copë”. Tipi i parë i fishekëve vlen për pushkë dhe automatik ndërsa të dytët për mitraloza kundërajror. Firma belge kishte vënë si kusht që në çdo 4 fishekë, njëri të ishte gjurmëlënës. Në dokumentet “sekret” të ministrisë së Mbrojtjes flitet dhe për të shitur automatikë tip ASH-82 të cilat i kërkonte një firmë tregtare koreano-veriore.Kushtet e lëvrimit të mallitDrejtori Besnik Kapo bën gjithashtu me dije për titullarin e ministrisë se sa do të ishte fitimi në dollarë nëse sasia e kërkuar do të shitej: “Nga të dhënat paraprake që kemi marrë nga shokët e Drejtorisë së Bilanc-furnizimit të MMP rezulton që kosto e prodhimit të fishekut 7.62 mm është 64 dollarë për 1000 copë ndërsa çmimi që ofrohet është 80 dollarë për 1000 copë, ndërsa për fishekun 12.7 mm kosto është 700 dollarë për 1000 ndërsa oferta është 800 dollarë për 1000 copë. E parë vetëm nga ana ekonomike për sasinë që kërkohet rezulton një fitim neto mbi kosto rreth 392.000 dollarë pa llogaritur fitimin tjetër të pagesës së elementeve të tjerë të kostos në dollarë”, shkruhet në dokumente. Ndërkohë firma belge kishte kërkuar të dhënat të sakta mbi dimensionet dhe peshën e paketimit për të dy llojet e fishekëve të cilët ajo kërkonte që të ambalazhoheshin në kuti druri për kushtet e transportit me anije. “Lëvrimi do të jetë i menjëhershëm. Vlefta e letër-kredisë që është gati të çelë firma për sasitë e lartpërmendura është 2.560. 000 USD”, shkruhet në dokumentin e firmosur nga drejtori Kapo. Dijenia për Komandantin e PërgjithshëmNëpërmjet një shkrese “Tepër Sekret” me numër protokolli “723” ministri i Mbrojtjes Kiço Mustaqi ka vënë në dijeni Ramiz Alinë si komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura: “Këto ditë nga Tekno-importi na është paraqitur kërkesa për t’i shitur një firme belge, 12 milion copë fishek pushke e automatiku dhe 2 milion copë fishekë mitralozi kundërajror. Në një rast kemi pasur kërkesë edhe për automatikë ASH-82 nga një firmë tregtare koreano-veriore. Sipas të dhënave për çmimet e blerjes dhe kostos së prodhimit për dy llojet e fishekëve, del se eksporti i tyre është me leverdi, pasi realizohet një e ardhur neto prej rreth 400 mijë dollarë. Ne mendojmë që t’i trajtojmë në eksport artikujt e mësipërm, por pa prishur normat e gatishmërisë luftarake. Theksojmë se sasitë që kërkohen nuk krijojnë shqetësim pasi janë prodhime që realizohen në uzinat tona”. Natyrisht për këtë problem u vu në dijeni edhe kryeministri Adil Çarçani. “Për të vepruar me këta artikuj, mendojmë që bisedimet me firmën dhe kontraktimi të bëhen në Tiranë, duke përcaktuar që malli të dorëzohet në anijen e firmës në Portin e Durrësit”, shtohet në fund të raportit.
Shënimi i komandantitRamiz Alia: Shisni armë, por kujdes nga terroristëtJa si kanë vazhduar më pas korrespodencat e hallkave kryesore të shtetit për të bërë të mundur tregtinë e armëve dhe municioneve dhe futjen në arkën e shtetit të ca dollarëve më shumë: Po në 16 tetor 1990, ndihmësi i kreut të shtetit, Vaskë Çifligu, nënshkruan në emër të Ramiz Alisë, duke kërkuar llogari për firmën që kërkon të blejë armë në Shqipëri, dhe për këtë informacion vendos një afat kohor prej vetëm 24 orësh në dispozicion: “Shoku Ramiz Alia, Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të Partisë dhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të RPSH, pasi u njoh me përmbajtjen e shkresës Nr.723 datë 16.10.1990 duke u shfaqur dakord me propozimin tuaj, vuri këtë shënim: “Vetëm duhet pasur kujdes, sepse mund të jenë terroristë ose elementë provokatorë. Nga u lindi ideja të blejnë në Shqipëri? Kush i njeh këta?! Presim përgjigje”. Një ditë më pas më 17 tetor 1990, ministri i Mbrojtjes, Kiço Mustaqi, ia përcjell këtë shqetësim Ministrisë së Tregtisë së Jashtme e cila siglohet në dokumentin me numër protokolli “142” ku kërkohen të dhëna më të plota për firmën blerëse dhe për destinacionin e përdorimit të artikujve që kërkoheshin. “Lutemi t’i sqaroni këto çështje dhe na informoni, pasi duhet të gjykojmë si të veprojmë dhe t’i përgjigjemi shokëve të udhëheqjes në Komitetin Qendror”, shkruan Kiço Mustaqi për kolegun e tij ministër të Tregtisë së Jashtme, Shane Korbeci. LehtësiratLegjislacioni “bosh” për shitjen e armëveNë dokumentin “sekret” me numër protokolli “142” ekziston lënda ku kërkohet leje për shitjen e armëve dhe municioneve. Kiço Mustaqi si ministër i mbrojtjes i bën me dije Ramiz Alisë si komandantit i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, se në kuadrin e lidhjeve afariste me jashtë, disa firma private belge e koreano-jugore kanë ofruar bashkëpunimin e tyre për të blerë armë e municione të ndryshme. “Në legjislacionin në fuqi nuk ekziston ndonjë akt që të trajtojë problemin e eksport – importit të armëve dhe municioneve. Për këtë kërkojmë leje për të hyrë në kontakte direkt me këto firma për shitjen e një sasie armësh e municionesh. Nga disa të dhëna paraprake rezulton se nga ky aktivitet mund të sigurojmë sasi të konsiderueshme valutë”, shkruhet ne dokumente. 