Shuhen shpresat për një qeveri mes VV dhe LDK-së

As me ndërmjetësimin e vendeve të Quint-it, Lëvizja Vetëvendosja dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk po dinë të krijojnë qeveri.
Pas një takimi tre orësh me ambasadorët e SHBA-së, Francës, Gjermani, Britanisë dhe Italia, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës dhanë sinjale të fuqishme mbrëmjen e së martës se shpresat e rreth 500 mijë kosovarëve që votuan për këto dy parti janë drejt shuarjes.
As pas rreth katër muajsh bisedime e as në praninë e ambasadorëve të shteteve të QUINT-it, LDK dhe VV nuk arritën të gjenin rrugën e zgjidhjes për formimin e koalicionit bashkëqeverisës.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha pas takimit se për një marrëveshje ndërmjet partisë që ai drejton dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, nevojitet përafrim i dyanshëm.
Kurti njoftoi se LDK-ja ka qenë këmbëngulëse në propozimin e saj që të marrë postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, duke i thënë qartë kreut të VV-së se kishte dy rrugë: “pranoje ose lerë”

“Me qasjen ‘merre ose lëre’ nuk mund të arrijmë marrëveshje. “Populli e ka thënë fjalën e vet. Interesimi dhe gatishmëria ime kurrë nuk ka qenë më e madhe për marrëveshje… por, nuk mund të ketë marrëveshje me përafrim të njëanshëm”, tha Kurti. Por për kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, marrja e postit të kryetarit të Kuvendit është thjesht një lëvizje për ndarjen e barabartë të pushtetit.
“U shprehëm se mbesim të hapur në qoftë se Lëvizja Vetëvendosje, si parti e parë , pranon kushtet tona për bashkëqeverisje”, ka thënë Mustafa.
Në takimin e Kurtit dhe Mustafës, morën pjesë shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova, ambasadori i Gjermanisë, Christian Held, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott, si dhe përfaqësues të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Francës dhe të ambasadës së Italisë në Prishtinë.
Ata nuk folën për mediet, por sipas përfaqësuesve të VV-së dhe LDK-së, u informuan rreth rrjedhës së negociatave për krijimin e koalicionit qeverisës. Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, pas takimit, tha se marrëveshja nuk është arritur për shkak të insistimit të LDK-së për postin e kryetarit të kuvendit.
“Do të doja t’ju njoftoja se marrëveshja është finalizuar, por nuk mund ta them një gjë të tillë. Nuk ka marrëveshje pikërisht për shkak të insistimit të LDK-së për kthim para datës 26 dhjetor, kur u konstitua Kuvendi i Kosovë”, tha Haxhiu, duke shtuar se dy partitë kanë edhe një javë kohë për të arritur marrëveshje.
Haxhiu riktheksoi se për Lëvizjen Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës, vazhdon të mbetet partnerja e vetme për të formuar koalicionin e ardhshëm qeverisës.

Por për Lidhjen Demokratike e Kosovës dorëheqja e kryetarit të sapozgjedhur të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca është e vetmja mënyrë për të zgjidhur për nyjën e koalicionit qeverisës. Sipas LDK-së, dorëheqja e Konjufcës do t’u hapte mundësi partive në negociata, dhe Vetëvendosjes dhe LDK-së, që të ndajnë në mënyrë të barabartë pushtetin.
LDK-ja thotë se do ta mbajë postin e kryetarit të kuvendit deri kur kuvendi të zgjedhë presidentin e ri të Kosovës, në vitin 2021. Presidenti po ashtu do t’i takojë LDK-së,.
Ndërkohë sa u përket ministrive, Vetëvendosje dhe LDK kanë një marrëveshje që ato të ndahen pesë me pesë, si dhe dy ministri për pakicat.
Vendet e Quint-it deklaruan nga ana tjetër se nuk mbështesin asnjë kandidat ose parti politike në Kosovë, gjatë procesit të formimit të qeverisë.
“Në prag të spekulimeve të fundit, ne do të donim të sqaronim qëndrimin tonë në lidhje me procesin e formimit të qeverisë në Kosovë. Siç është theksuar në deklaratën tonë të 30 gushtit 2019, ne përfaqësojmë shtetet që janë thellësisht të përkushtuara ndaj Kosovës demokratike dhe të pavarur. Çdo sugjerim se qeveritë tona përkrahin ndonjë parti apo kandidat të veçantë në zgjedhje është i pasaktë”, thuhet në deklaratë. “Përgjegjësia për të ardhmen e Kosovës, për udhëheqësit e Kosovës, dhe për vetë Kosovën, është vetëm e juaja, e popullit të Kosovës. Ne nuk do të ndërmjetësojmë”, thuhet në deklaratën e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. (SI)