Renta Minerare/ Bashkitë që kanë rezerva minerare nuk përfitojnë dot nga pasuria e tyre

Shqipëria është një vend i pasur me burime nëntokësore të shumta, përmendim këtu naftën, kromin, bakrin etj. Dhe në bazë të parimit të decentralizimit të pushtetit vendor, dihet që këto burime minerare duhet të përdoren e menaxhohen nga vetë bashkitë.
Por siç duket nuk ka ndodhur aspak kështu. Për bashkitë dhe komunitetet e tyre pasuria minerare në vend që të ishte një bekim për ta, mesa duket është kthyer në mallkim. Mjafton të sjellim në vëmendje rastin e Bulqizës, një vend shumë i pasur me krom që i ka dhënë miliona e miliona këtij vendi në gjithë këto vite, dhe në këmbim ka marrë varfërinë dhe vdekjet e shumta të minatorëve nëpër miniera.
Por duke u fokusuar tek teza jonë e shtruar në krye, duhet thënë që për shkak të burokracirave të shumta por edhe për shkak të ndryshimeve të vazhdueshme ligjore bashkitë nuk përfitojnë dot nga pasuritë e tyre minerare. Me ardhjen në pushtet të saj në vitin 2013, qeveria Rama u kujdes që shumë shpejt të bëntë ndryshime ligjore për të ulur sa të mundej përfitimet konomike që merrnin deri në atë kohë bashkitë, dhe këto para tja kalonte tashmë qeverisë.
Deri para se të vinte në pushtet qeveria Rama, renta minerare që i kalonte pushtetit vendor ishte në masën 25%. Me anë të një amendameti të bërë në “Ligjin për taksat kombëtare” qeveria pra e uli përqindjen e rentës minerare që përfitonin bashkitë në shumën e 5%. Me arsyetimin që pjesën tjetër do t’ja jeptë vetë bashkive në formën e investimeve nga qeverisja qendore. Por pse veproi kështu kur këto para mund të kaloheshin direkt në buxhetin e bashkive?
Kjo mesa duket e ka një përgjigje.
Sipas udhëzimit nr.26, datë 4.9.2008 “Për taksat kombëtare”, i cili përcakton procedurat rakorduese për alokimin e rentës minerare, bashkitë duhet të kryejnë rakordimet me drejtoritë rajonale të Tatimeve dhe Doganave në fund të çdo muaji dhe të nisin këto rakordime pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Buxhetit në Ministrinë e Financave.
Është pikërisht ky udhëzim që do e bënte thuajse të pamundur kalimin e rentës minerare në buxhetin e bashkive. Kjo sepse ky udhëzim do të shtonte më tej burokracitë, duke zvarritur afatet e kalimit të rentës minerare pasi tashmë u kërkonte bashkive që të merreshin ata me këtë punë, edhe pse insitucion përgjegjës në fakt duhet të ishte vetë Ministria e Financave.
Por përse bëhet kaq e vështirë për bashkitë që të marrin pasurinë që u takon? Së pari duhet thënë që edhe nëse do ta merrnin shumën e rentës, sërish ajo është shumë e vogël dhe e papërfillshme me nevojat që ka komuniteti. Duke llogaritur këtu faktin që disa bashki i vetmi përfitim që kanë është ai nga pasuritë minerare.
Por përveç kësaj duhet thënë që edhe dëmi që marrin nga aktiviteti minerar, psh prerja e pyjeve, gërryerja e tokave si pasojë e aktivitetit të guroreve, apo edhe ndotja e mjedisit siç është aktiviteti për nxjerrjen dhe përpunimin e naftës, është shumëfish më i madh sesa ato pak para që presupozohet të marrin nga renta minerare.
Bashki të ndryshme, si psh ajo e Bulqizës ka pasur raste kur rentën minerare e kanë marrë vetëm pas dy vitesh, edhe pse në Ligjin për taksat kombëtare, thuhet që bashkitë çdo muaj të datës 15 marrin rentën minerare që u takon. Pamundësia për të marrë edhe atë pak fitim nga renta minerare vjen si pasojë e shtimit të burokracirave dhe shtimit të insitucioneve që marrin pjesë në këtë proces.
Duke bërë kështu që bashkitë të mos marrin thuajse asgjë nga pasuritë e tyre minerare që kanë brenda hapësirës së tyre territoriale.