“Fauda” shqiptare/ Si do përzgjidhet njësia policore e grupit kriminal “KÇK”

Pak kohë më parë u deklarua nga kryeministri Rama ngritja e një strukture policore, e cila do të shkatërronte dhe asgjësonte deri në fund grupin kriminal, që vetë ai e quajti “KÇK” (kap ça t’kapësh).

Por si do funksionojë kjo strukturë dhe si do përzgjidhet kjo trupë? Burimet thonë se një grup oficerësh do të trajnohen për t’u bërë pjesë e kësaj strukture të veçantë. Ata do të jenë të fshehtë, pra nuk do të dihet identiteti i tyre, siç në fakt është edhe reparti “RENEA” që njihet ndryshe si elita e Policisë së Shtetit.

Modeli ku do të bazohet kjo strukturë është ajo që njihet si “Fauda” e forcave komando izraelite. I krijuar nga ish pjesëtarë të shërbimeve sekrete dhe ushtarakë, ky grup është i specializuar në Izrael në kapjen apo eliminimin e elementëve të rrezikshëm terroristë në Izrael dhe Palestinë.

Emri që i është dhënë njësive të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit në të vërtetë është “Mista’arvim”, (përkthyer: “Ata që ‘jetojnë’ mes arabëve”) në të cilat ushtarët posaçërisht janë të stërvitur për të maskuar veten si arabë, në mënyrë që të kapin rebelët dhe terroristët palestinezë.

Kjo njësi speciale është kthyer edhe në subjekt të një prej serialeve më të suksesshëm në Netflix, pikerisht me emrin “Fauda”, ku tregon fabulën reale të kësaj force elitë, që ka shpëtuar mijëra jetë njerëzish nga sulme terroriste, duke eliminuar kokat apo elementët që priteshin t’i ekzekutonin ato.

Por konsulenca izraelite nuk do të jetë vetëm në vënien e shtyllave të kritereve për këtë strukturë, por mësohet se do të marrë pjesë edhe në përzgjedhjen e elementëve më të mirë policorë dhe ish-ushtarakë. Ashtu si Fauda izraelite, edhe struktura e posaçme kundër krimit të organizuar në Shqipëri, që ende nuk dihet nëse do të pagëzohet me emrin “Fauda”, do të ketë të infiltruar edhe në botën e krimit, por edhe në radhët e prokurorëve dhe gjyqtarëve për të marrë kështu informacione se ku veprojnë bandat dhe ku i investojnë ata pasuritë, ashtu siç komandot izraelite infiltroheshin në radhët e palestinezëve.

Në Shqipëri pritet të ngrihen edhe Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Struktura e Posaçme Anti-Korrupsioin që do hetojnë krimin dhe zyrtarët e korruptuar. Por struktura që do të luftojë drejtpërdrejt e që deri më tani Rama e ka quajtur “KÇK”, do të jetë në një farë mënyre, policia e prokurorëve dhe gjykatësve specialë që do të luftojnë të konsideruarit “peshqit e mëdhenj” të drejtësisë dhe kriminelët të kthyer në të “fortët” e paprekshëm të mbrojtur nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar.

Deri më tani në listë janë 50 efektivë nga forcat komando të Ushtrisë, të cilëve u mungon formimi policor. Ndaj do trajnohen për mënyrën se si vepron policia dhe si duhet të veprojnë në operacione. Në fillim janë trajnuar si komando për të luftuar terroristët në front dhe tani edhe për ato policore.

Objektivi kryesor do të jenë arrestimet e shumë të kërkuar që janë problematik dhe goditjen e elementëve të grupeve kriminale me rrezikshmëri shumë të lartë. Kjo njësi do kapë ata që Rama i quajti “të fortët e rrugëve”. Informacioni kësaj njësie do t’i vijë nga policia kriminale, ata thjesht do e ekzekutojnë.

Ndërkohë janë parashikuar edhe detaje që kanë të bëjnë me llojin e armatimit, mjeteve, që nga mënyra sesi do të prezantohet, pagesa, shërbimi, konfidencialiteti, siguria e familjarëve e të tjera.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT