“Do digjnin Kuvendin”/ PD i përgjigjet Metës: S’ka pasur kurrë një plan të tillë

Partia Demokratike ka reaguar pas deklaratave të Presidentit Ilir Meta, i cili tha sot në Komisionin hetimor parlamentar  se më datë 8 qershor ka patur informacion për një plan i cili synonte të digjej Kuvendin e Shqipërisë.

Sipas Metës kjo ishte një ndër arsyet që ka vendosur shtyrjen e datës së zgjedhjeve.

I pyetur nga “Panorama”, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi deklaroi se opozita e bashkuar nuk ka patur kurrë një plan të tillë.

Bardhi pohoi se edhe kryetari i opozitës, Lulzim Basha në qëndrim e tij publike ka kërkuar që të përfaqësuesit e opozitës të distancohen nga skenarët e dhunës.

“Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar nuk ka pasur kurrë asnjë plan për djegien e institucioneve, pavarësisht se ato nuk përfaqësojnë interesin publik, por interesin e një grupi oligarkësh dhe kriminelësh të lidhur me kryeministrin e vendit.

Partia Demokratike fton mediat të hapë arkivat e javëve përpara 30 qershorit dhe do të gjejë se opozita dhe kreu i saj, Lulzim Basha, ka denoncuar skenarët e dhunshëm të Edi Ramës, që ka patur për qëllim t’i përdorë më pas kundër PD dhe opozitës.

Në këtë këndvështrim, duhet të lexohet edhe deklarata e Presidentit Ilir Meta, i cili u shpreh se “nuk mund të pranonte një Rajshtag në Shqipëri”. Të gjithë e dinë se me djegien e dyshimtë të Parlamentit gjerman, Hitleri çimentoi pushtetin nazist pas ardhjes në pushtet pak kohë para djegies së Rajshtagut”, tha Gazment Bardhi për “Panorama”.

Më tej Sekretari i Përgjithshëm i PD u shpreh se Komisioni hetimor për shkarkimin e Presidentit ështënjë mjet për të mbuluar skandalet e qeverisë ilegjitime të Edi Ramës.

“Partia Demokratike e konsideron komisionin hetimor për shkarkimin e Presidentit si një mjet për të mbuluar skandalet e qeverisë ilegjitime të Edi Ramës, ndërsa anëtarët e këtij komisioni, personazhe të dosjeve 184 dhe 339, si bashkëpunëtorë të krimit në vjedhjen e zgjedhjeve lokale dhe parlamentare”, tha ai.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT