Policia britanike heton si vrasje vdekjen e një foshnjeje, shtatë në pranga

Shtatë persona janë arrestuar në Sheffield të Anglisë, në kuadër të një hetimi policor për vrasje pas vdekjes së një foshnjeje të porsalindur.

Policia u njoftua pak para orës 06:00 sipas kohës lokale për shqetësime lidhur me sigurinë e një foshnjeje në zonën Wincobank të Sheffieldit.

Pas marrjes së njoftimit, efektivët kryen kontrolle në një banesë në zonën Holywell Heights, ku gjetën foshnjën e porsalindur.

Pavarësisht ndërhyrjes së policisë dhe përpjekjeve të ekipeve mjekësore të urgjencës, foshnja nuk mundi të mbijetonte dhe u konstatua e vdekur në vendngjarje.

Kryeinspektorja e policisë, Emma Knight, bëri të ditur se shtatë persona janë arrestuar nën dyshimin për vrasje dhe se të gjithë vijojnë të jenë në paraburgim.

Autoritetet britanike u kanë bërë thirrje qytetarëve që disponojnë informacione për rastin t’i kontaktojnë.

Informacionet mund të përcillen drejtpërdrejt te policia ose në mënyrë anonime përmes Crimestoppers, organizata e pavarur britanike që mbledh informacione për veprimtari kriminale.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT