Një histori me Islamin dhe Azemin para vdekjes

Nga Mero Baze

Kam një detaj personal, që lidhet me Azem Hajdarin javën e fundit të jetës së tij. Po e tregoj se ka të bëjë me Kastriot Islamin. Azemi ishte thirrur nga Blendi Fevziu në një emision “E diela debat” në TVSH, për ngjarjet e vitit 1997. Azemi, i cili donte me çdo kusht të rehabilitohej në PD dhe të ndalte armiqësinë e Berishës ndaj tij, donte doemos të shfaqej atje si një njeri me shumë informacion për çfarë kishte ndodhur. Më thirri ta ndihmoja me çfarë faktesh kisha për trazirat. Donte kaseta video, audio dhe gjithçka çfarë mund të gjendeshin.

Duke e njohur mirë tipin e tij të rrëmbyer dhe aftësinë për të bërë konspiracion me çdo banalitet, bëra pak humor me Kastriot Islamin. Azemit i kishte tërhequr vëmendjen pse ai takohej shpesh me ambasadorin grek, që e kishte shtëpinë ngjitur me Rogner-in, dhe unë me humor ia përforcova paranojën duke i thënë se me siguri merr udhëzime. Për më tepër, i ishte fiksuar se në mars të vitit ’97, ai ishte fshehur tek kaldaja e shtëpisë së ambasadorit pas Rogner-it, ku është sot ambasada spanjolle. Azemit i pëlqente ta besonte shumë këtë legjendë urbane për Islamin.

Nuk është se e besonte këtë, por i pëlqente shumë si detaj, se e kishte Kastriot Islamin në debat.

I thashë se mund ta ndihmoja me një kasetë audio për këtë çështje. Fluturoi nga gëzimi. Bëra gati 20 kaseta VHS bosh, ose me këngë dasme, i futi në një valixhe diplomatike për të treguar se po shkonte në emision me fakte. Kaseta që i ofrova unë ishte një bisedë e zakonshme e Kastriot Islamit me një kolegun tim në Gjirokastër, ku bisedonin të dy për Fatos Nanon dhe fatin në burgun e Bënçës me 4 mars. Për shkak të frikës nga SHIK-u, të dy flisnin me kode dhe dukej vërtet si bisedë konspirative. Kishte shprehje të tipit “çfarë thonë andej nga qendra”, “a je lidhur me Athinën”, “a kanë dhënë ndonjë porosi”, etj. Azemi fluturoi nga gëzimi. Shkëputi rreth dy minuta nga biseda, i riregjistroi në kasetën e tij dhe shkoi në emision.

Për ata që e mbajnë mend skenën publike, ai bëri bllof duke i kërkuar Fevziut të jepte një prej kasetave, kë të donte ai, që kishte në çantë. Siç e ka falur Zoti Fevziun frikacak, nuk mori asnjë, duke thënë se nuk i lexon aparati. Atëherë Azemi nxori diktofonin e tij, e ndezi pranë mikrofonit dhe u dëgjua biseda e Kastriot Islamit me kolegun tonë në Gjirokastër, i cili i përket minoritetit grek. Pati një reaksion të hatashëm. Kastriot Islami reagoi me zemërim duke e quajtur Azemin agjent të fuqive të huaja, që e kishin përgjuar atë. E kërcënoi fizikisht dhe ligjërisht. Debati zgjati dy- tri ditë pas emisionit.

Në krye të javës, Azemin e vranë dhe shumë njerëz më thoshin se vrasjen e organizoi Kastriot Islami, i cili ishte zëvendëskryeministër. Ai krijoi dhe një alibi përmes prefektit të Tropojës për vendndodhjen e një prej të akuzuarve. Vetë Kastriot Islami nuk foli për këtë gjë, por sa herë që dikush besonte se vrasjen e kish organizuar shteti, të gjithë nënkuptonin Islamin në qeveri dhe lidhjet e tij SHIK- presidencë- Tropojë.

Nuk hyja tek ata që e besoja dhe e besoj këtë skenar po aq konspirativ, por kam idenë se në atë nivel thashethemesh i pëlqente dhe Islamit. Donte dhe ai të dukej dikush me kontribut në zhdukjen e opozitës.

Paranoja se Azemi u vra se kishte kaseta që nuk i lanë të transmetoheshin, vazhdoi pak gjatë për ata që donin të besonin se u vra politikisht prej shtetit. Në fakt ai thjesht u nxor nga Sali Berisha para PD për të larguar rrezikun që atij i kanosej për jetën. E nxori një vëllai i shoqes së ngushtë të Liri Berishës, nxitur nga Liria, që ishte e shqetësuar për fatin e burrit të saj. Pas asaj, ai që e nxori, u largua në SHBA. Nuk ka faj pse e nxori se nuk e dinte që do vritej. Dhe ai si Azemi, thjesht u përdor në atë histori për të shpëtuar Sali Berishën. Ndryshimi është se Azemi nuk jeton më.

Sot pas 15 vjetësh, po i shkruaj këto rreshta në të njëjtën orë që u vra Azemi. Nuk do t’i shkruaja kurrë, por pashë në tavolinën kryesore të përkujtimores Kastriot Islamin, Lirinë dhe Saliun. Pashë dhe disa tropojanë, nga ata që një ditë rrinin me vrasësit, një ditë me viktimën, dhe m’u dhimbs thellë Azemi.

Gjë më poshtëruese 15 vjet pas vdekjes së tij nuk mund t’i bëhej. Nuk kishin ftuar në tavolinë asnjë mik të Azemit, që nuk është dakord me Berishën sot. As Astrit Patozin nuk e pashë, njeriun që e ka takuar të fundit para se të merrte plumbin, ndërkohë që Berisha e kish thirrur në zyrë i shqetësuar. Siç ma ka përshkruar atë ditë, ndërkohë që unë u ula përballë Berishës, u dëgjuan breshëritë dhe Berisha pa lëvizur nga vendi tha: “E vranë Azemin”. Kur u ngrit të shihte nga dritarja, e kishin vrarë vërtet.

Sot në tavolinën e mortit për rivarrosjen e Azemit ishin të gjithë ata që e çuan drejt vdekjes. Me sa duket nuk u besohej që ka vdekur dhe donin ta shikonin dhe një herë duke e futur nën dhe. Më 14 shtator të vitit 1998 nuk kishin kohë. Një palë ishte e armatosur me anti-tanke, dhe tjetri kishte mbathur opingat.
Më fal Azem që sot nuk të mbroj dot!

  –^^^  Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
             Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT