“Po na mbahen lekët”/ Tre muaj pa rroga, punonjësit e Ndërmarrjes së Pastrimit në Durrës mblidhen para Bashkisë

Prej tre muajsh, punonjësit e Ndërmarrjes së Pastrim-Gjelbërimit në Bashkinë e Durrësit pretendojnë se po përballen me mbajtje të pashpjegueshme të një pjese të pagës.

Siç raporton korrespondentja e Top Channel Vali Qyrfyçi, të revoltuar nga mungesa e përgjigjeve nga financa e ndërmarrjes dhe drejtori i tyre, ata janë grumbulluar përpara bashkisë, duke deklaruar se u janë mbajtur 4 deri në 7 mijë lekë nga rrogat e tyre mujore.

“35 vjet punë këtu dhe na e ulën në 540, e kam 580. Pse duan të na e heqin rrogën. Drejtori na bën presion, na tha ‘do u marr shpirtin’”, u shpreh njëra prej punonjësve.

Pas reagimit përpara godinës, një përfaqësi e punonjësve u prit në një takim nga drejtues të pushtetit vendor. Pas takimit, punonjësit thonë se nuk morën zgjidhje, ndërsa Bashkia e Durrësit e mohon mbajtjen e një pjese të pagave dhe deklaron se financa po përgatit një sqarim lidhur me pretendimin e punonjësve.

“Përse na përzënë përjashta? Se po kërkojmë rrogën tonë? Që kur ka ardhur ky drejtor ne po na mbahen lekët”, tha një tjetër.

Megjithatë, më shumë se dy orë pas takimit, përgjigjja zyrtare e premtuar ende nuk ka mbërritur nga Bashkia.

Bashkia e Durrësit sqaroi se pagat e punonjësve të pastrimit përllogariten sipas akteve ligjore në fuqi dhe ndryshimet mujore lidhen me orët e punës gjatë natës, fundjavave dhe festave zyrtare. Sipas bashkisë, punonjësit janë sqaruar për këto ndryshime dhe nuk bëhet fjalë për mbajtje të padrejta të pagave.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT