Mbi 355 milionë euro pasuri të sekuestruara në Bari, gjurma e parave shkon deri në Shqipëri

BARI – Mbi 355 milionë euro pasuri janë sekuestruar nga autoritetet italiane në Bari gjatë periudhës gusht 2023–gusht 2026, në kuadër të hetimeve penale dhe procedurave të parandalimit. Bilanci trevjeçar është bërë publik më 2 shtator nga Prokuroria e Republikës së Barit dhe Guardia di Finanza.

Sipas të dhënave zyrtare, 162.4 milionë euro lidhen me hetime për mashtrime fiskale dhe dëmtim të financave publike, përfshirë evazionin e TVSH-së, përdorimin e parregullt të kredive tatimore dhe abuzimet me bonuset e ndërtimit.

Rreth 19.7 milionë euro janë sekuestruar në kuadër të hetimeve për krime ekonomike dhe financiare, si dhe vepra kundër administratës publike. Ndërkohë, më shumë se 152 milionë euro lidhen me masa reale sigurie të vendosura në hetime për kriminalitet të organizuar.

Në bilanc përfshihen edhe mbi 21 milionë euro masa të marra për mbrojtjen e tregut dhe konsumatorëve, në kuadër të hetimeve për mashtrime tregtare dhe falsifikim.

Operacioni “Mercato”

Një prej operacioneve më të rëndësishme të kësaj periudhe është “Mercato”, i zhvilluar në vitin 2026. Në kuadër të tij u morën masa personale ndaj 23 personave dhe masa reale ndaj 79 subjekteve, ndërsa vlera e pasurive të sekuestruara kaloi 63 milionë euro.

Sipas hipotezës së hetimit, një organizim kriminal kishte krijuar një pozitë dominuese në sektorin e lojërave dhe basteve, duke përdorur aktivitetin edhe për riciklimin e të ardhurave me origjinë të paligjshme.

Autoritetet italiane sqarojnë se shifra totale prej mbi 355 milionë eurosh nuk është e ndarë sipas shtetësisë së personave nën hetim apo origjinës së kapitalit. Ajo përfshin qindra hetime të zhvilluara në territorin italian, ndërsa në disa prej tyre aktiviteti kriminal ka shtrirje ndërkombëtare.

Një prej drejtimeve të hetimit është edhe Shqipëria.

Operacioni “URA”: gjurmët e parave kalojnë Adriatikun

Në maj 2025, Drejtoria Hetimore Antimafia (DIA) e Barit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Antimafias së Barit, SPAK-un dhe autoritetet shqiptare, zhvilloi operacionin “URA”, një hetim ndërkombëtar për trafik droge dhe riciklim parash.

Operacioni çoi në masa ndaj 52 personave, 40 prej tyre shqiptarë dhe 12 italianë, si dhe në sekuestrime pasurore në Itali dhe Shqipëri. Hetimi u koordinua përmes Eurojust-it dhe përfshiu një Ekip të Përbashkët Hetimor mes autoriteteve italiane dhe shqiptare.

Sipas DIA-s, hetimi dokumentoi një rrjet kriminal me shtrirje në Ballkan, Puglia, Evropën Veriore dhe Amerikën e Jugut. Në kuadër të tij u dokumentua trafikimi i 255 kilogramëve heroinë dhe kokainë, me ngarkesa që mbërrinin kryesisht nga Shqipëria dhe Evropa Veriore drejt Barit.

Por një prej elementëve kryesorë të hetimit ishte edhe drejtimi i kundërt i fluksit financiar.

Hetuesit dokumentuan lëvizjen e vazhdueshme të parave cash nga Puglia drejt Shqipërisë, si pagesë për drogën e trafikuar me shumicë. Sipas DIA-s, shumat arrinin në rreth 4.5 milionë euro dhe, në disa raste, transporti i parave kryhej përmes drejtuesve të autobusëve të linjave ndërkombëtare.

Në të njëjtin hetim u dokumentuan edhe pagesa cash në Bari me vlera mbi 500 mijë euro, ndërsa më shumë se 500 mijë dollarë u transferuan nga Shqipëria drejt Amerikës Latine si parapagim për një ngarkesë prej 500 kilogramësh kokainë nga Ekuadori.

Operacioni i majit 2026/ 680 mijë euro u sekuestruan në Murriqan

Më 26 maj 2026, DIA e Barit dhe autoritetet shqiptare zhvilluan një tjetër operacion ndërkufitar, i koordinuar përmes një Ekipi të Përbashkët Hetimor me Eurojust-in.

Në total, u ekzekutuan masa ndaj 15 personave në Itali dhe Shqipëri. Hetimi lidhej me vrasjen e Francesco Diviestit në Canosa di Puglia, por gjatë tij u evidentuan edhe elementë që lidhen me një grup të dyshuar për riciklim ndërkombëtar të parave cash nga Italia drejt Shqipërisë.

Sipas autoriteteve italiane, grupi ishte pjesë e një aktiviteti kriminal më të gjerë, të hetuar prej vitesh nga autoritetet italiane dhe shqiptare, lidhur me trafikun ndërkombëtar të kokainës dhe heroinës nga Shqipëria drejt Puglias.

Një prej episodeve të hetimit daton më 14 nëntor 2024, kur autoritetet shqiptare sekuestruan 680 mijë euro cash në pikën kufitare të Murriqanit, pas një sinjalizimi nga Qendra Operative e DIA-s në Bari.

Sipas hetimit, paratë dyshohej se ishin pjesë e fluksit të të ardhurave të krijuara nga shitja me shumicë e drogës në Itali dhe transferimi i tyre drejt Shqipërisë.

Hetimi i vitit 2026 lidhet edhe me një seri operacionesh të mëparshme të DIA-s së Barit dhe SPAK-ut, ndër to “Shefi”, “Kulmi”, “Shpirti” dhe “URA”.

Sipas DIA-s, këto hetime kanë çuar ndër vite në 170 masa sigurimi në Itali, Shqipëri dhe vende të tjera evropiane, në sekuestrimin e pasurive me vlerë disa milionë euro dhe në kapjen e më shumë se shtatë tonëve lëndë narkotike.

Gjurma e parave dhe droga në të dyja anët e Adriatikut

Të dhënat e hetimeve tregojnë një skemë ku aktiviteti kriminal shtrihet në të dyja anët e Adriatikut.

Në një drejtim, droga e trafikuar nga Shqipëria dhe Ballkani mbërrin në Puglia. Në drejtimin tjetër, pagesat e lidhura me këtë aktivitet dyshohet se lëvizin nga Italia drejt Shqipërisë, në një pjesë të rasteve në formë cash.

Bilanci i Prokurorisë së Barit, me mbi 355 milionë euro pasuri të sekuestruara në tre vite, përfshin qindra hetime për kategori të ndryshme të kriminalitetit dhe nuk i referohet vetëm veprimtarisë me shtrirje ndërkombëtare.

Megjithatë, operacionet “URA” dhe hetimi i majit 2026 nxjerrin në pah rëndësinë e bashkëpunimit mes autoriteteve italiane dhe shqiptare në ndjekjen e flukseve financiare dhe të aktivitetit kriminal ndërkufitar.

Në rastet e dokumentuara nga DIA, gjurma e parave kalon Adriatikun, duke e bërë bashkëpunimin mes dy vendeve një element të rëndësishëm të hetimeve kundër trafikut të drogës dhe pastrimit të parave.

Autoritetet italiane dhe shqiptare kanë theksuar se disa prej procedimeve të përfshira në këto hetime vijojnë të jenë në fazën paraprake. Masat e sekuestrimit janë të përkohshme dhe nuk përbëjnë vendim përfundimtar mbi përgjegjësinë penale. Për personat nën hetim vlen prezumimi i pafajësisë deri në një vendim të formës së prerë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT