“Kurti, mjerim në politikën e jashtme”, Hoxhaj: Ne veri janë krijuar dy sisteme paralele politike

Kosova po përballet me një realitet diplomatik të vështirë, ku mungesa e stabilitetit të brendshëm politik po reflektohet gjithnjë e më shumë jashtë vendit. Pa njohje të reja, pa anëtarësime të rëndësishme në organizata ndërkombëtare dhe me një raport të zbehur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendi, sipas deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka mbetur pa një politikë të mirëfilltë të jashtme.

“Të gjitha qeveritë nga 2019-ta nuk kanë treguar vullnet, interes dhe ambicie politike për të marrë njohje, për të marrë anëtarësime në organizata ndërkombëtare, për ta fuqizuar raportin tonë me SHBA-të, për ta marrë statusin e kandidatit. Prandaj, Kosova, në këto shtatë vitet e fundit, prej 2019-ës e deri më tash, jo vetëm vitet e fundit, realisht nuk ka pasur politikë të jashtme dhe kjo gjendje tregon për mjerimin politik në të cilin është Kosova.”

Duke folur për dialogun me Serbinë, Hoxhaj ka kritikuar marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e saj të zbatimit në Ohër, duke thënë se këto marrëveshje, sipas tij, kanë dëmtuar shtetin e Kosovës.

“Nëse ka pasur një goditje që e ka këputur në kurriz, që ka goditur në palcë shtetin e Kosovës, është marrëveshja e Brukselit e Ohrit, e cila marrëveshje serbëve në Kosovë u jep një autonomi të zgjeruar, Kishës Ortodokse Serbe ia jep një autonomi kishtare dhe komunitetin serb realisht e vendos në një rrafsh të vetëqeverisjes autonome, të pavarur. Në fakt, janë krijuar dy sisteme paralele politike.”

Hoxhaj shprehet kritik edhe për raportet aktuale të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke thënë se, ndryshe nga e kaluara, sot nuk mund të flitet për një marrëdhënie të mirëfilltë mes dy vendeve.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT