Irani paralajmëron bllokimin e të gjithë Gjirit Persik: Do i përgjigjemi luftës ekonomike të SHBA-ve!

Irani ka lëshuar një tjetër kërcënim ndaj Shteteve të Bashkuara, duke paralajmëruar për zgjerimin e masave detare në Gjirin Persik dhe rritjen e presionit rreth Ngushticës së Hormuzit. Deklarata vjen në një moment kur tensionet mes Teheranit dhe Uashingtonit janë përshkallëzuar ndjeshëm.
Mohsen Rezaei, sekretari i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, deklaroi në një postim në X se Teherani po përgatitet të vendosë një “zonë përjashtimi” në Gjirin Persik, si kundërpërgjigje ndaj asaj që ai e cilësoi si “luftë ekonomike” të SHBA-së.
“Luftës ekonomike do t’i përgjigjemi me një zonë bllokade detare në Gjirin Persik, deri në perimetrin e bllokadës”, shkroi Rezaei, duke lënë të hapur mundësinë e zgjerimit të masave kufizuese ndaj lëvizjes detare në këtë zonë strategjike.
Zyrtari i lartë iranian i cilësoi gjithashtu lëshimet e fundit të raketave iraniane si një “paralajmërim të qartë” për Shtetet e Bashkuara.
Rezaei shtoi se qëndrimi operacional i Iranit ndaj anijeve luftarake dhe bazave ushtarake amerikane është “përshtatur në thelb”, një deklaratë që sinjalizon një tjetër hap drejt përshkallëzimit të përplasjes mes dy vendeve.
Ngushtica e Hormuzit është një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës në botë dhe çdo kufizim i lëvizjes së anijeve në këtë korridor mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta për furnizimin global me energji dhe çmimet e naftës.
Deklaratat e Rezaeit shtojnë shqetësimet për një përshkallëzim të mëtejshëm ushtarak dhe ekonomik në Lindjen e Mesme, ndërsa kërcënimet iraniane ndaj interesave dhe forcave amerikane në rajon po bëhen gjithnjë e më të drejtpërdrejta.