In memoriam\ Anagnosti, ose kinematografia vs sociologjisë

Nga Ben Andoni

Një vit më parë, mjeshtri i kinematografisë shqiptare, Dhimitër Anagnosti do të mbyllte sytë përgjithnjë në Tiranë. Në një moshë ku vdekja të vigjilon dhe individi e pret sipas formimit, traditës dhe filozofisë të jetës. Anagnosti e bëri kapërcimin e tij sublim thjesht dhe pa zhurmë. I ndjeri bën pjesë në ato lloj personazhesh që ka disa jetë dhe në një  moment ato shkrihen të gjitha në një lloj përjetësie. Kjo e tija ishte vendi ku morali, intelekti bashkohej me dashurinë e përkorë për atdheun.

Anagnosti kishte kohë që dialogonte me vdekjen. Në filma disi më i tërhequr, por në punën e tij poetike dhe eseistike vazhdimisht; ai e përballte, e tallte, e priste dhe e nderonte vdekjen. Dukej, sikur po e priste fare i qetë. Në të gjallë, e kish kryer me kohë misionin e tij në kinematografi, por e vazhdoi në krijimtarinë letrare. Me një lloj cinizmi që nënkuptonte mbrojtjen nga këto kohë tejet agresive dhe boshe, ai përsëriste për njerëzit kureshtarë që i afroheshin, një shprehje prozaike: Shikoni veprën! Aty jam unë!

Pikërisht, mbi këtë këshillë, po e kujtojmë, pas një viti të plotë kalendarik. Përpos shumë ndikimeve, arti i tij la një terren ose laborator të mirë për sociologjinë. Është e vërtetë se kinematografia ndërthuret me sociologjinë, ndaj sot nuk jemi më të habitur se shumë nga sociologët i kanë ngritur teoritë e tyre mbi argumente kulturologjike. Në filmat e Anagnostit pamë për shembull Autoritetin, Shoqërinë, Individin shqiptar në kohë e gjendje të ndryshme. Pamë mënyrën se si tradita dhe institucionet e mbyllura e shtypin individin në shoqërinë tranzitore, por edhe shumë ide e fabula të tjera.

Anagnosti konsiderohet si një mjeshtër i përshtatjes së lojës së aktorëve për temat e tij dhe një realizues virtuoz i planeve të ngushta të portreteve dhe lëvizjeve të kujdesshme trupore. Mbase ngaqë formimi bazik ishte kamera. Ishte shkolluar dhe nisi karrierën si operator. Në kujtimet e tij ka fletë pa fund, ku ka të vizatuar me dorë çdo skenë, ashtu si arkeologu klasik, duhet të fiksonte çdo gjetje në vizatim. Falë kulturës, kujdesit dhe skrupulozitetit gati teutonik të tij: Portretet dhe loja aktoriale e personazheve të tij gjithnjë e kanë zbërthyer shumë mirë idenë e Anagnostit, duke e bërë skenarin që ai paraqiste shumë real. Vini re për shembull tek “Gurët e shtëpisë sime i besës” apo “Përrallë nga e kaluara” se me sa kujdes bëhen lëvizjet e grave. Ato janë gati uniforme dhe me këtë jepet i gjithë sfondi shoqëror i kohës në troje tona. Gratë janë ashtu kokulura, të përkora, të heshtura dhe kurrë me ankesa në punë. Ky është trupi i disiplinuar nga habitus-i patriarkal i një shoqërie të prapambetur si ajo shqiptare, brenda kulturës së përgjithësua ballkanase. Burrat, nga ana tjetër, mbajnë posturë dominuese (Qëndrimi patetik në odën e burrave, Tymosja, batutat që shkëmbejnë dhe rekuizita gati qytetare në fshat). “I kemi të mira gratë”, thotë një personazh që është i kënaqur me punën e grave të fshatit. “Jemi ne të mirë, pa janë ato”, ua kthen gjithë mendjemadhësi babai i Gjinos te “Përrallë nga e kaluara” bashkëfshatarëve mbi tarracën e lokalit. Anagnosti e fotografon këtë habitus trupor si një lloj ngulfatje sociale apo një lloj izolimi burgu, prej të cilit personazhet femra e kanë të pamundur të dalin. Fati i tyre është i shkruar që nga martesa. Te personazhet e grave te “Gurët e shtëpisë sime”, Anagnosti gjithmonë tregon se si gruaja shqiptare mban përveç gjërave të tjera edhe peshën dhe identitetin e mbijetesës. Batutat e filmave të tij nuk janë thjesht argëtim, ato janë kodifikim i psikologjisë sonë sociale dhe raste të mira studimi. “Do bëjmë si do bëjmë. Burrat i dinë vetë punët e tyre”, thotë gruaja më e vjetër, duke treguar statusin e tyre, por edhe hierarkinë shoqërore te “Gurët e shtëpisë sime”.

Maks Weber

Në filma të tjerë, zbërthimi i Fuqisë dhe Egërsisë, si edhe shndërrimet e Autoritetit i kemi të pasqyruara, për shembull te jetimët e paraçlirimit. Shtypja shfaqet shumë e ndërlidhur me dhunën, por edhe me frikën e vazhdueshme të ndërprerjes së ushqimit nga jetimët, shtuar me spiunllëkun me anë të së cilës individi i tillë me kaq probleme sociale, duhet ta përqafojë apo jo në këtë lloj shoqërie (ku ai është outsider). Është ajo që ndodh te “Lulëkuqet mbi mure”. Kur drejtori apo kujdestari përpiqen të thyejnë dinjitetin e fëmijës, batuta e Sulos mbetet një lloj analize e saktë sociologjike e një shpirti të shtypur: “Kush më hodhi. Pse më vratë?!”-kërkon kujdestari. “Nuk e di. Nuk e bëra unë. Po nuk të godita unë?!” Kjo pyetje nuk i drejtohet vetëm një njeriu, por të gjithë sistemit, ku derdhet autoriteti mbi viktimën. Dhe, ky i fundit e kundërshton instinktivisht, por në dukje e pohon me gjuhën e trupit, madje dhe me frikën se nuk do të tregojë.

Kinemaja e Anagnostit, sot, mund të kundrohet lirisht edhe si një pasqyrë e strukturave tona sociale, brenda disa regjimeve ekonomiko-shoqërore të ndryshme. Një sociolog mund të shikojë me kujdes sesi mund të këqyret teoria e Pierre Bourdieu mbi Habitus-in dhe sensi te Fushat e Pushtetit. Në parantezë: në sociologjinë e Pierre Bourdieu, koncepti i habitus-it është ura që lidh strukturën shoqërore me veprimin individual. Ai shpjegon se si zakonet, mënyra e të menduarit dhe sjelljet tona përsëriten dhe qëndrojnë të ngulitura tek ne, pavarësisht ndryshimeve në mjedisin e jashtëm, thuhet në literaturë. Vajza në filmin “Në shtëpinë tonë”, rezistencës së familjes për udhën dhe lidhjen e saj e thotë me ashpërsi: “Po për ty mami, ky ishte ai burri i rënë nga qielli”. Ndërkohë që martesa e Gjinos (një fëmijë) me Marigonë nuk shihet nga komuniteti si diçka e jashtëzakonshme, por si një lëvizje e natyrshme brenda fushës ekonomike/familjare të interesit real. Habitus-i i fshatit, po të futemi në termat e  Bourdieu, e pranon këtë lloj pazar si normë fare normale. Marigoja, nga ana tjetër, përdor të njëjtat rregulla të habitus-it patriarkal për të manipuluar situatën në favorin e saj, pa e thyer hapur kodin e fshatit. Bën sikur do të helmohet. “Do të vdes për inat të njerëzisë” Apo kur i thotë ai burri aty, sepse në fshat është folur dhe aluduar për shtatzëninë e saj hipotetike: “Ore  pse nuk del ai, apo…?!”

August Comte

Një qasje tjetër është me teorinë e Auguste Comte, e cila bazohet te Pozitivizmi: ideja se e vërteta dhe njohuria vijnë vetëm nga vëzhgimi empirik i fakteve konkrete, duke refuzuar spekulimet metafizike. Jo më kot, Comte e shihte shoqërinë si një organizëm që funksionon sipas ligjeve të rregullta sociale. Kurse në filmat e Anagnostit, kjo filozofi manifestohet përmes një stili që mund të quhet antropologji filmike. Te filmi “Gjoleka, i biri i Abazit”, Anagnosti analizon fshatin shqiptar si një strukturë primitive që i reziston fort progresit modern. Ai dokumenton me saktësi pothuajse shkencore zakonet, ritet dhe mendësinë patriarkale. Dhe, sidomos, ai dialogu pa fjalë i birit me të atin është pjesë e kësaj antropologjie.

Ndoshta një antropolog në ndihmë me sociologun mund të përfshinin dhe ide të tjera, por fakti është se vepra e Anagnostit mbetet një thesar, ku studiuesit do mund t’i hulumtojnë qartë shqiptarët në tre sisteme ekonomiko shoqërore të ndryshme. Qoftë dhe kjo e bën kineastin tonë, një model dhe një kontribues të jashtëzakonshëm për vendin në disa rrafshe. Bash, atë për të cilin, ai u përpoq me shumë përulje dhe modesti gjatë të gjithë jetës së tij.

***

Cili ishte Anagnosti?!

Kineasti Dhimitër Anagnosti (1936–2025) konsiderohet si një prej figurave më të rëndësishme të historisë së kinematografisë shqiptare. I diplomuar për kinooperator në Institutin Kinematografik të Moskës në vitin 1960, ai do të realizonte punët e para si operator në Kinostudion “Shqipëria e Re”, ku kontribuoi në filmat e parë të realizuar asokohe si “Debatik”, “Toka jonë” dhe “Komisari i dritës”. Që nga viti 1967 nisi rrugëtimin si regjisor me “Duel i heshtur”, kurse filmat që do të vinë më pas do lenë gjurmë dhe përbëjnë themelin e identitetit të filmit shqiptar: “Plagë të vjetra”, “Malet me blerim mbuluar”, “Lulëkuqet mbi mure”, “Përrallë nga e kaluara”, “Kthimi i ushtrisë së vdekur” dhe “Gjoleka, djali i Abazit”, mes një grupi të tërë syresh filmash të tjerë do të flasin shumë për aspekte të ndryshme të shqiptarëve. Anagnosti do të shquhet dhe si krijues letrar (skenarist dhe dramaturg) dhe kjo do duket sidomos në subjektet e tij, kurse kryevepra e tij “Lulëkuqet mbi mure” (1976) mbetet një nga kulmet e krijimtarisë së tij dhe një prej filmave më të vlerësuar të kinematografisë shqiptare dhe një nga kontributet më të mëdha të filmit shqiptar në atë ndërkombëtar.

 

Back to top button
LAJMET E FUNDIT