Dënohet me varje prezantuesja televizive në Egjipt, akuzohet për trafik droge

Prezantuesja televizive egjiptiane Sarah Khalifa dhe 11 persona të tjerë janë dënuar me vdekje me varje, pasi u shpallën fajtorë për përfshirje në një çështje të trafikut të drogës.

Sipas gazetës shtetërore “Al-Ahram”, të dënuarit ishin pjesë e një grupi kriminal që dyshohet se importonte lëndë të para të përdorura për prodhimin e lëndëve narkotike, me qëllim përpunimin dhe shitjen e tyre. Gjatë operacionit, autoritetet kanë sekuestruar më shumë se 750 kilogramë lëndë narkotike dhe materiale të përdorura për prodhimin e tyre, ndërsa janë zbuluar edhe armë dhe municione të paligjshme.

Sarah Khalifa, 39 vjeçe, njihet për programin televiziv “Mission Impossible”, i cili trajtonte çështje kriminale. Ajo i ka mohuar akuzat dhe ka deklaruar se nuk është e përfshirë në aktivitetet kriminale për të cilat akuzohet.

Në të njëjtën çështje, nëntë të pandehur të tjerë janë dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa shtatë persona janë shpallur të pafajshëm.

Avokati i Khalifas ka bërë të ditur se do të apelojë vendimin për dënimin me vdekje.

Vendimi ishte shpallur fillimisht muajin e kaluar, por u konfirmua më vonë pasi gjykata mori opinionin fetar të myftiut të madh të Egjiptit. Kjo është një procedurë e detyrueshme në rastet kur gjykatat egjiptiane japin dënime me vdekje.

Gjatë procesit gjyqësor, prokuroria paraqiti dëshmi nga 20 persona, si dhe prova elektronike, përfshirë biseda dhe video. Sipas “Akhbar al-Youm”, gjatë një seance në shtator të vitit të kaluar, Khalifa deklaroi se nuk kishte parë drogë deri në momentin kur ishte fotografuar me të në ambientet e autoritetit kundër narkotikëve.

Sipas një raporti të Amnesty International për vitin 2025, në Egjipt u dhanë 492 dënime me vdekje gjatë atij viti, ndërsa 23 persona u ekzekutuan. Organizata ka theksuar se, sipas standardeve të së drejtës ndërkombëtare, dënimi me vdekje duhet të kufizohet vetëm për krimet që përfshijnë vrasje të qëllimshme.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT