Bllokimi i pagave / Gjyqtarët e prokurorët kallëzojnë në SPAK ministrin Malaj dhe drejtuesit e Thesarit

Drejtues të gjykatave të të gjitha niveleve, përfaqësues të organizatave të gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve i janë drejtuar sot zyrtarisht Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me një kallëzim penal ndaj ministrit të Financave, Petrit Malaj, Sekretarit të Përgjithshëm të kësaj ministrie, Gentian Këri, si dhe përgjegjësve të Degëve të Thesarit në 15 rrethe të vendit.

Sipas dokumentit të kallëzimit, konflikti buron nga mosekzekutimi i pagave të magjistratëve dhe personelit mbështetës të gjykatave e prokurorive për muajin gusht 2026.

Subjektet kallëzuese – mes të cilëve nëpunësit autorizues të Gjykatës Administrative të Apelit (Ardian Dvorani), Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm (Iliba Bezati), Gjykatës së Posaçme të Apelit (Dhimitr Lara), si dhe drejtuesit e Unionit të Gjyqtarëve (Gerd Hoxha), Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve (Engert Pëllumbi) dhe Shoqatës së Prokurorëve (Gëzim Spahiu) – kërkojnë fillimin e procedimit penal për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” (neni 248 i Kodit Penal), “Pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës” (neni 320) dhe “Mosekzekutimi pa shkaqe të përligjura i vendimit të gjykatës” (neni 320/a/1).

Kallëzimi paraqitet me qëllim që organi i prokurorisë të identifikojë personin/personat që kanë marrë, transmetuar ose zbatuar vendimmarrjen konkrete që ka sjellë mosekzekutimin e pagave.

Ky kallëzim nuk synon zëvendësimin e mjeteve administrative, gjyqësore apo institucionale për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve lidhur me mënyrën e përllogaritjes së pagave dhe as ushtrimin e presionit ndaj ndonjë institucioni shtetëror për një rezultat të caktuar financiar. Qëllimi i tij është vetëm hetimi penal i ligjshmërisë së veprimeve ose mosveprimeve konkrete që kanë sjellë mosekzekutimin e pagave dhe përcaktimi i përgjegjësisë individuale sipas ligjit”, thuhet në kallëzim.

Sipas kallëzimit, Gjykata Kushtetuese, me vendimin nr. 15, datë 17.02.2026, shfuqizoi pjesërisht ndryshimet ligjore të vitit 2023 që kishin ngrirë pagat e magjistratëve, duke e cilësuar këtë si “ulje të fshehtë dhe të shënjestruar” të tyre.

Kallzim 08 Shtator 2026

Back to top button
LAJMET E FUNDIT