BE vendos taksë të re për produktet e lira nga Kina

Bashkimi Evropian do të vendosë një tarifë të re përpunimi për pakot e vogla që porositen online nga jashtë bllokut, në përpjekje për të frenuar fluksin e madh të produkteve të lira.

Masa do të hyjë në fuqi nga 1 nëntori dhe taksa do të mblidhet nga autoritetet kombetare.

Marrëveshja është arritur në mars mes Parlamentit Evropian dhe vendeve anëtare, por pritet miratimi formal.

Sipas njoftimit, nivelin e tarifës do ta caktojë Komisioni Evropian, ndërsa pagesën do ta bëjnë platformat online dhe jo konsumatorët.

Në shënjestër janë gjigantët e tregtisë online si “Shein”, “Temu”, “AliExpress” dhe “Amazon”.

Vetëm në vitin 2025, doganat evropiane përpunuan pako me vlerë rreth 6 miliardë euro nga tregtia online, nga të cilat 90% hynë nga Kina.

Kjo është tarifa e dytë brenda pak muajsh. Që nga korriku, për mallrat me kosto të ulët nga jashtë aplikohet tashmë një tarifë doganore fikse prej 3 eurosh për grup produktesh, kosto e cila në shumë raste po u kalon konsumatorëve.

Efekti i parë është regjistruar në Francë, ku importet e pakove të vogla kanë rënë deri në 40% që nga korriku.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT