Zjarri në Finiq rrezikoi banesat. Banorët u evakuuan, ndihmuan 3 helikopterë

Zjarri masiv që pushtoi kodrat e fshatrave Kostar dhe Vllahat të Mesopotamit në bashkinë e Finiqit u kthye shpejt në një rrezik për banorët.
Flakët avancuan deri në oborret e banesave.
Autoritetet ndërhynë menjëherë duke bërë evakuimin e banorëve dhe duke krijuar një perimetër, për të frenuar përparimin e zjarrit.
Në zonë mbërritën rreth 40 forca zjarrfikëse të Delvinës, Finiqit dhe Konispolit, ndërsa nga ajri u aktivizuan 3 helikopterë të Forcave të Armatosura.
Autoritetet thonë se angazhimi ka qenë i menjëhershëm dhe se është ende herët për të përcaktuar shkaqet e zjarrit.
MALLAKASTËR – Më herët një tjetër vatër u aktivizua pranë fshatit Hekal të Mallakastrës.
Flakët të favorizuara nga era e fortë u përhapën me shpejtësi në një sipërfaqe mbi 10 hektarë me ullishte dhe shkurre.
Në operacion morën pjesë 6 mjete zjarrfikëse të Ballshit, Patosit, Roskovecit. Pas disa orësh flakët u neutralizuan.
LIBRAZHD – Ndërsa në Librazhd, pas 6 ditësh përpjekje intensive, autoritetet e emergjencave bënë të mundur vënien nën kontroll të vatrës aktive të zjarrit në zonën pyjore të Dardhës, në kufi me Sopotin, duke parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve. Atje shkoi edhe kreu i Emergjencave Civile Haki Çako.
Çako u shpreh se emergjencat janë në gatishmëri në të gjithë vendin për të përballuar situatën e krijuar nga zjarret.