Zjarret kërcënojnë edhe pyjet e Pukës, vatër zjarri në kurorën me pisha! Shuhet në kohë, dyshohet e qëllimshme

Zjarret kanë përfshirë edhe pyjet e Pukës prej mëngjesit të sotëm, ndërsa një vatër u shfaq në kurorën me pisha, jo shumë larg qytetit.
Dyshimet e para janë se zjarri mund të jetë shkaktuar qëllimisht, ndërsa përballë flakëve kanë ndërhyrë menjëherë shërbimet zjarrfikëse të Pukës, të ndihmuara edhe nga banorët e lagjes Laçaj.
Ndërhyrja e shpejtë bëri të mundur vënien nën kontroll të flakëve, duke shmangur përhapjen e tyre dhe marrjen e përmasave më të mëdha.
Kurora e Pukës, e karakterizuar kryesisht nga drurë pishe, konsiderohet një prej pasurive natyrore më të çmuara.
Kjo është hera e parë pas shumë vitesh që një zjarr kërcënon seriozisht këtë hapësirë të gjelbër, e cila shtrihet në qindra hektarë rreth qytetit të Pukës.
Ndërkohë, Policia ka ngritur një grup hetimor për të zbardhur shkaqet e rënies së zjarrit dhe për të verifikuar dyshimet për një zjarrvënie të mundshme të qëllimshme.