Tiranë–Dallas dhe kthim

Nga THOMA GËLLÇI
Në një tregim të Pëllumb Kullës të titulluar “Tiranë–Uashington dhe kthim”, një kryetar partie shqiptare udhëton në Uashington në prag të zgjedhjeve. Udhëtimi mbahet sekret, militantët ziejnë nga emocionet, gazetat hamendësojnë për takime të mëdha dhe një shofer shqiptar lustron limuzinën nga mëngjesi në darkë, duke pritur çastin kur do të hapë derën para Departamentit të Shtetit, ndoshta edhe para Shtëpisë së Bardhë. Vetëm se delegacioni nuk shkon askund. Rri në hotel, ha pica e sufllaqe, telefonon Librazhdin, Fierin e Paskuqanin dhe, pas dy ditësh, hipën në limuzinë vetëm për t’u kthyer në aeroport.
Kur kryetari mbërrin në Rinas, ndërkaq, pritja është triumfale. Askush nuk e di me kë është takuar në Uashington, por pikërisht kjo e bën udhëtimin edhe më historik. Sa më pak informacion, aq më i madh suksesi. Dhe kur kryetari refuzon të japë hollësi, militantët e kuptojnë menjëherë se Amerika ka vendosur të ndryshojë fatin e Shqipërisë.
Kanë kaluar më shumë se dy dekada që kur Kulla e botoi këtë rrëfenjë dhe politika shqiptare vazhdon t’i prodhojë vazhdimet e saj pa i kërkuar autorit të drejtën e copyright-it.
Këtë herë personazhi quhet Sali Berisha dhe destinacioni nuk është Uashingtoni, por, të paktën fillimisht, Dallasi.
Në maj të vitit 2021, Departamenti Amerikan i Shtetit e përcaktoi publikisht Berishën, bashkëshorten, djalin dhe vajzën e tij si persona të papërshtatshëm për të hyrë në Shtetet e Bashkuara për shkak të asaj që Sekretari i atëhershëm i Shtetit Antony Blinken e quajti përfshirje të Berishës në “korrupsion domethënës”. Njoftimi përmend shpërdorimin e fondeve publike, ndërhyrjen në procese publike dhe përdorimin e pushtetit për përfitimin e tij, të familjes dhe aleatëve. Pesë vjet më vonë, ai njoftim vazhdon të jetë i publikuar në arkivin zyrtar të Departamentit të Shtetit. Nuk ka një njoftim publik amerikan që ta ketë shfuqizuar përcaktimin.
Ka ndodhur diçka tjetër.
Departamenti i Shtetit ka konfirmuar se administrata aktuale ka përdorur waiver-a, pra përjashtime nga ndalimi i hyrjes, për disa persona të sanksionuar, kur një përjashtim i tillë konsiderohet në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara. Ky është një mekanizëm amerikan dhe amerikanët kanë të drejtë ta përdorin për arsyet që ata i gjykojnë të dobishme. Por një waiver dhe anulimi i një përcaktimi janë dy gjëra të ndryshme.
Për berishistët fanatikë kjo nuk ka asnjë pikë rëndësie. Për ta ka rëndësi që Berisha do të shkojë në Amerikë! Pastaj fjalia rritet vetë. Berisha po rikthehet në Amerikë. Pastaj bëhet edhe më e madhe. Amerika po rehabiliton Berishën.
Dhe, po të vazhdojë disa ditë kjo punë, nuk do të ishte çudi që dikush të njoftonte se Departamenti i Shtetit ka kërkuar falje, Shtëpia e Bardhë ka ngritur flamurin e bardhë për pesë vitet e humbura dhe presidenti Trump po pret në aeroport Sali Berishën me një tufë lulesh.
Vetë Berisha, në konferencën e shtypit, ka dhënë një version shumë më modest. Ai tha se pasaporta e tij ndodhet ende në ambasadën amerikane dhe se nuk ka prenotuar asnjë takim në Departamentin e Shtetit. Udhëtimi i planifikuar është për në Dallas, më 9 dhe 10 shtator, ku ai është përfshirë në një delegacion të International Democracy Union që do të marrë pjesë në konventën e republikanëve për zgjedhjet e mesmandatit. Aktiviteti është real, ftesa është reale dhe pjesëmarrja e Berishës, nëse viza përfundohet, do të jetë po aq reale. Por deri këtu arrijnë faktet.
Pjesa tjetër është përsëri ajo limuzina e Peços. Vetëm se tani nuk lustrohet makina. Lustrohet lajmi.
Për të marrë Berisha një vizë amerikane është punuar fort. Në vitin 2025 u bë publike një kontratë dyvjeçare lobimi me vlerë deri në 6 milionë dollarë me firmën amerikane Continental Strategy, një kompani me lidhje të forta republikane. Vetë Berisha më vonë pranoi se ishte lobuar edhe për çështjen e vizës së tij. Besoj se kjo është viza amerikane nga më të shtrenjtat në histori.
Nuk ka asgjë të paligjshme në vetvete te lobimi. Uashingtoni është ndoshta qyteti ku njerëzit paguhen më mirë në botë për të bindur njerëz të tjerë se klienti i tyre është më i rëndësishëm nga sa mendonin një ditë më parë. Por është pak e vështirë të paraqesësh si një përmbysje spontane të politikës amerikane diçka për të cilën ke angazhuar një makineri lobimi me çmim miliona dollarësh.
Administrata Trump nuk ka treguar ndonjë sentimentalizëm të veçantë ndaj vendimeve të administratës Biden. Përkundrazi, ajo ka përmbysur politika, ka rishikuar vendime dhe ka zhvilluar një fushatë të gjerë kundër asaj që e quan “weaponization” të institucioneve federale. Klima politike në Uashington është ndryshuar rrënjësisht. Pikërisht për këtë arsye fakti që përcaktimi publik i Berishës nuk është shpallur i anuluar ka një peshë që nuk mund të zhduket me entuziazëm televiziv. Waiver-i i lejon një derë të hapet. Ai nuk e fshin atë që është shkruar mbi derë.
Këtu politika duhet ndarë nga folklori.
Sigurisht që është pozitive për Partinë Demokratike që kryetari i saj të mund të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara. Është normale që ai të marrë pjesë në aktivitete të partive të së djathtës ndërkombëtare dhe të kërkojë kontakte me republikanët amerikanë.
Por një biletë për Dallas nuk është certifikatë pafajësie. As një badge konference nuk është dekret i Departamentit të Shtetit. As një fotografi me një senator republikan në korridor nuk është ndryshim i politikës së jashtme amerikane. Dhe, për hir të Peços së Pëllumb Kullës, as një limuzinë që kalon pranë Shtëpisë së Bardhë nuk është takim në Shtëpinë e Bardhë.
Ka edhe një ironi tjetër, shumë më të rëndësishme se viza amerikane.
Ndërsa mbështetësit e Berishës po presin udhëtimin drejt Amerikës si provën e rikthimit të madh të opozitës, prej muajsh në rrugët e Tiranës po zhvillohet një protestë e pazakontë. Ajo është drejtuar para së gjithash kundër qeverisë së Edi Ramës, por turma ka përsëritur vazhdimisht një slogan që Partia Demokratike do të preferonte të mos ekzistonte: “Rama në burg, Berisha në burg.” Reuters e ka regjistruar këtë thirrje që në qershor; ajo vazhdonte të dëgjohej edhe në protestën e 93-të, më 31 gusht.
Ky është problemi politik që asnjë waiver amerikan nuk mund ta zgjidhë.
Është një ngjarje e rrallë që një pjesë e qytetarëve që kërkojnë largimin e qeverisë nuk po kërkojnë ardhjen e opozitës tradicionale. Ata po protestojnë edhe kundër saj. Kjo duhet të ishte kambana më e fortë e alarmit për Partinë Demokratike. Sepse një opozitë që nuk arrin të bëhet alternativa e natyrshme e një qeverie të konsumuar nuk e ka problemin me Departamentin Amerikan të Shtetit, por me qytetarët shqiptarë. Megjithëse të njëjtët lobistë punuan me qytetarët shqiptarë në zgjedhjet e kaluara, nuk e siguruan dot atë që është realisht e rëndësishme, votën.
Propaganda e vizitës amerikane është e rrezikshme për vetë Partinë Demokratike. Nëse çdo ftesë në një konferencë shitet si rehabilitim historik, çdo fotografi si mbështetje e administratës Trump dhe çdo derë e hapur si heqje e sanksioneve, partia mund të fitojë disa ditë entuziazëm në Facebook, por humbet një mundësi shumë më të vlefshme: të shohë realitetin e vet. Dhe mua më duket se në këtë drejtim ajo është e pashpresë. Ka vendosur të mos shohë.
Problemi i opozitës shqiptare nuk është nëse Sali Berisha mund të hyjë në Dallas, por që me Sali Berishën në krye Partia Demokratike nuk mund të hyjë përsëri në besimin e shqiptarëve.
Pëllumb Kulla e kishte zgjidhur këtë histori njëzet e ca vjet më parë. Kryetari i tij u kthye nga Uashingtoni pa pasur nevojë të takohej me askënd. Mjaftoi që militantët të besonin se kishte ndodhur diçka aq e madhe sa nuk mund të thuhej.
Këtë shtator mund të kemi versionin e ri: Tiranë–Dallas dhe kthim.
Berisha do të shkojë në konferencë, mund të bëjë fotografi, do të takojë republikanë të rëndësishëm dhe do të kthehet në Rinas. Të gjitha këto do të jenë lajme. Vetëm një gjë duhet ruajtur nga rrëfenja e Kullës: limuzina qe do të porositet për ta marrë nga aeroporti, duhet të jetë një limuzinë e bardhë që ta kemi më kollaj për ta ngatërruar me Shtëpinë e Bardhë.