Shqipëria ka naftën më të shtrenjtë në rajon, çmimi rreth 30% mbi mesataren

Rritja e çmimeve të karburanteve në tregjet e rajonit ka rikthyer ndërhyrjet e qeverive përmes masave fiskale, kryesisht uljes së akcizës dhe kufizimit të marzheve të fitimit. Shqipëria, ndërkohë, vijon të ketë çmimin më të lartë të naftës në rajon, pa njoftuar deri tani masa të reja për të amortizuar efektin te konsumatorët.
Në Shqipëri, prej rreth një jave nafta tregtohet me rreth 219 lekë për litër, ose afërsisht 2.3 euro për litër. Në korrik, çmimi ishte rreth 2.06 euro për litër. Kjo përkthehet në një rritje prej rreth 0.24 euro ose 21 lekë për litër. Ndërkohë, benzina tregtohet rreth 2.1 euro për litër.
Të dhënat krahasuese të publikuara nga “Monitor”, bazuar në informacionet e korrespondentëve në vendet e Ballkanit Perëndimor, tregojnë se diferenca e çmimeve me Shqipërinë është e konsiderueshme.
Nafta në Shqipëri është rreth 41% më e shtrenjtë se në Maqedoninë e Veriut, e cila rezulton të ketë çmimin më të ulët në rajon, dhe rreth 17% më e shtrenjtë se në Serbi. Sipas përllogaritjeve të “Monitor”, çmimi shqiptar është rreth 30% mbi mesataren rajonale.
Barra fiskale rëndon çmimin e karburanteve
Një nga faktorët kryesorë që ndikon në çmimin final të naftës në Shqipëri është barra fiskale. Përveç akcizës prej rreth 0.37 euro për litër dhe TVSH-së 20%, mbi karburantin aplikohen edhe taksa të tjera.
Bëhet fjalë për taksën e qarkullimit prej 27 lekësh për litër dhe taksën e karbonit prej 3 lekësh për litër. Sipas përllogaritjeve të “Monitor”, komponenti fiskal përbën rreth 50% të çmimit, ose afërsisht 100 lekë për litër.
Pavarësisht rritjes së çmimeve, deri tani qeveria shqiptare nuk ka njoftuar një masë të re fiskale për uljen e barrës mbi karburantet.
Në muajin mars u miratua një vendim për uljen e akcizës me 20% në rast se çmimi i naftës kalonte 220 lekë për litër me pakicë. Për benzinën, masa parashikonte ndërhyrje në rast se çmimi kalonte 200 lekë për litër.
Megjithatë, përdorimi i kësaj mase ka qenë i kufizuar. Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi më herët në Kuvend se mekanizmi ishte përdorur vetëm dy herë, me një efekt financiar të llogaritur në rreth 37 milionë lekë, ose afërsisht 400 mijë euro.
Mali i Zi ul sërish akcizën
Në Malin e Zi, nafta tregtohet rreth 1.87 euro për litër, ndërsa çmimi i benzinës është rreth 1.76 euro. Krahasuar me korrikun, çmimi i naftës është rritur me rreth 0.11 deri në 0.21 euro për litër.
Pas rritjes së çmimeve, qeveria malazeze ka ndërhyrë sërish me masa fiskale. Më 25 gusht u miratua ulja e akcizës për naftën me 20%, ndërsa për benzinën pa plumb me 5%. Masat do të jenë në fuqi deri më 5 shtator.
Qeveria e Malit të Zi kishte ndërhyrë edhe në muajin mars, duke ulur akcizën me 50% për naftën dhe 25% për benzinën, me synim zbutjen e ndikimit të rritjes së çmimeve te konsumatorët.
Maqedonia e Veriut vijon me akcizat e reduktuara
Në Maqedoninë e Veriut, nafta tregtohet rreth 1.63 euro për litër, ndërsa benzina rreth 1.54 euro. Çmimi i naftës është rritur me rreth 0.21 euro krahasuar me korrikun.
Qeveria vijon të mbajë në fuqi masat e miratuara në mars, përfshirë uljen e akcizës me 0.06 euro për litër për naftën dhe 0.03 euro për benzinën.
Po ashtu, në mars u ul TVSH-ja për karburantet nga 18% në 10%. Masa u zgjat më pas deri në përfundimin e krizës.
Serbia zgjat uljen e akcizës
Në Serbi, çmimi i naftës është rreth 1.96 euro për litër, nga 1.82–1.87 euro në korrik.
Në përgjigje të rritjes së çmimeve, qeveria serbe ka zgjatur deri në fund të gushtit vendimin për uljen me 20% të akcizës për derivatet e naftës. Paralelisht, Ministria e Tregtisë vijon të përcaktojë çdo javë çmimin maksimal të shitjes së naftës dhe benzinës.
Bosnje-Hercegovina kufizon marzhet e fitimit
Në Bosnje-Hercegovinë, çmimi i naftës në pikat e shitjes me pakicë varion nga 1.69 deri në 1.82 euro për litër, ndërsa krahasuar me korrikun rritja ka qenë rreth 0.29 euro për litër.
Qeveria ka vënë në zbatim vendimin për kufizimin e marzheve të fitimit. Për produktet e naftës pa aditivë, marzhi maksimal është përcaktuar rreth 0.03 euro për litër në tregtinë me shumicë dhe 0.13 euro për litër në shitjen me pakicë.
Vendimi ishte miratuar që në mars, por zbatimi i tij ishte shtyrë për shkak të mosmiratimit të ndryshimeve përkatëse ligjore.
Kosova mban kufizimin e marzheve
Në Kosovë, nafta tregtohet rreth 1.76 euro për litër, nga 1.56 euro në korrik, duke shënuar një rritje prej rreth 0.20 euro për litër. Benzina ka arritur rreth 1.53 euro për litër.
Edhe në Kosovë nuk është marrë deri tani një vendim i ri për uljen e taksave. Në fuqi vijon të jetë udhëzimi i miratuar në mars, i cili kufizon marzhin e fitimit në 12 eurocent për litër në pakicë dhe 2 eurocent për litër në shumicë për shitjen e naftës.
Krahasimi i çmimeve tregon një panoramë të ndryshme në rajon: ndërsa vendet fqinje po përdorin instrumente fiskale ose kufizime të marzheve për të zbutur ndikimin e rritjes së çmimeve, në Shqipëri barra fiskale mbetet një.