SHBA paralajmëron Iranin: Bllokada detare mund të zgjasë pa afat

Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar se bllokada detare ndaj Iranit mund të mbahet për një kohë të pacaktuar, ndërsa Uashingtoni po përgatitet të shtojë presionin ekonomik mbi Teheranin. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se Marina amerikane ka kapacitetin për të mbajtur një prani të vazhdueshme në rajon dhe për të zbatuar bllokadën ndaj porteve iraniane.

Për një kohë të pacaktuar, Marina e Shteteve të Bashkuara mund ta mbajë një bllokadë të tillë”, tha Hegseth, duke shpjeguar se anijet amerikane mund të zëvendësohen në mënyrë të vazhdueshme për të garantuar praninë detare.

Në të njëjtën kohë, Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, paralajmëroi masa të reja ekonomike kundër Iranit. Ai tha se administrata amerikane do të ndërmarrë hapa që, sipas tij, nuk janë parë më parë në historinë e izolimit ekonomik të një vendi. Deklaratat vijnë në një moment të tensionuar, pasi bisedimet për armëpushim kanë dështuar dhe furnizimi global me naftë është vënë nën presion.

Ndërkohë, tensionet janë rritur edhe në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës në botë. Dy anije të Kompanisë Kombëtare të Naftës në pronësi të shtetit të Abu Dhabit u sulmuan teksa kalonin nëpër ngushticë, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve të Emirateve të Bashkuara Arabe, WAM. Qeveria e Emirateve e dënoi incidentin si një sulm iranian.

Irani, nga ana tjetër, ka deklaruar se ngushtica është nën kontrollin e tij dhe se nuk do të lejojë rihapjen e plotë të kësaj rruge ujore pa plotësimin e kushteve të vendosura nga Teherani. Ndër kërkesat kryesore janë heqja e sanksioneve ekonomike dhe lirimi i aseteve iraniane të ngrira. Presidenti amerikan Donald Trump po përballet gjithashtu me presion të brendshëm për t’i dhënë fund konfliktit. Rritja e çmimeve të karburanteve ka ndikuar në mbështetjen ndaj tij dhe mund të ketë pasoja politike për Partinë Republikane në zgjedhjet e nëntorit. Trump ka deklaruar vazhdimisht se SHBA-ja ka “kontroll të plotë” mbi Ngushticën e Hormuzit, pretendim që është kundërshtuar nga Teherani.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT