RMV regjistron 50 raste, gjashtë të infektuar të rinj me ethet e Nilit Perëndimor, mes tyre rasti i parë në Kumanovë

Në Maqedoninë e Veriut, autoritetet shëndetësore kanë konfirmuar se numri i përgjithshëm i të infektuarve me ethet e Nilit Perëndimor ka arritur në 50 raste, pasi vetëm brenda një dite u regjistruan gjashtë raste të reja.
Mes tyre është edhe rasti i parë i konfirmuar në Kumanovë, një burrë 65-vjeçar me sëmundje kronike, i cili është i shtruar në Klinikën e Sëmundjeve Infektive në Shkup.
Sipas Qendrës së Shëndetit Publik në Kumanovë, pacienti nuk kishte udhëtuar jashtë vendit para shfaqjes së simptomave, duke treguar për transmetim aktiv lokal të virusit.
Gjendja e tij shëndetësore është e rëndë për shkak të pranisë së sëmundjeve kronike, përfshirë diabetin. Autoritetet kanë kryer një anketë epidemiologjike me familjen dhe kanë dezinfektuar objektin ku qëndronte i infektuari, si dhe zonat ku mund të ketë pasur kontakt me mushkonja të infektuara.
Përveç Kumanovës, pesë raste të tjera janë regjistruar në rajonin e Shkupit: tre pacientë mbi moshën 70 vjeç nga komuna Gazi Baba, një 26-vjeçar nga Zelenikovo dhe një 59-vjeçar nga Aerodromi.
Epidemiologët paralajmërojnë se rritja e rasteve në kryeqytet dhe zonat përreth tregon për një transmetim aktiv përmes mushkonjave gjatë verës, duke apeluar për mbrojtje individuale me repelentë dhe rrjeta mbrojtëse, veçanërisht për të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.
Pothuajse gjysma e pacientëve të diagnostikuar këtë verë janë hospitalizuar në Klinikën e Sëmundjeve Infektive në Shkup për shkak të formës së rëndë neuroinvazive të virusit, e cila mund të shkaktojë inflamacion të trurit dhe meningjeve.
Deri më tani, pesë persona kanë humbur jetën nga ethet e Nilit Perëndimor në Maqedoninë e Veriut.
Autoritetet shëndetësore vazhdojnë të monitorojnë situatën epidemiologjike dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të kërkojnë ndihmë mjekësore në kohë nëse shfaqen simptoma të ngjashme me gripin, të shoqëruara me shenja neurologjike.