Plas mes protestuesve, Baki Goxhaj përplaset me anëtarin e Grupit Koordinues: Më keni fyer, përçmuar dhe prerë në besë! Përdhosët edhe flamurin

Ditën e sotme protesta futet në ditën e 86-të të saj, ku duket se mes protestuesve kanë nisur përplasja të forta mes tyre. Aktivisti Baki Goxhaj, i cili u bë i njohur pasi u ndalua nga Izraeli në anijen “Global Sumud”, e cila po shkonte drejt Gazës, ka shpërthyer ndaj anëtarëve të Grupit Koordinues të Protestës.
Goxhaj ka akuzuar anëtarin e Grupit Koordinues, Ilir Dedaj se ka përdhosur flamurin kombëtar, duke e përdorur si mjet censure ndaj personave që nuk i pëlqejnë personalisht.
Aktivisti shkruan se ka qenë pjesë e protestës që nga dita e parë dhe ka qenë edhe pjesë e Grupit Koordinues të protestës dhe më pas e kanë larguar pa i dhënë asnjë shpjegim.
Po ashtu ai hedh akuza ndaj Grupit Koordinues se e kanë fyer, ofenduar dhe e kanë prerë në besë.
“Deklaroj publikisht se marrëdhënia jonë, si personale ashtu edhe me grupin koordinues, ka ndryshuar pakthyeshmërisht. Unë jam fyer, përçmuar dhe prerë në besë nga ju! Po ta them nga larg, por do ta them edhe nga afër, që i keni shkelur në kallo personit të gabuar”, thekson ai në postimin e tij.
Postimi i plotë:
Z. Ilir Dedaj!
Unë jam Baki Goxhaj, personi të cilin e preke me gisht në kraharor me akuzën se po shtyja flamurin, kur po menaxhoja turmën.
Unë TË AKUZOJ publikisht për përdhosje të flamurit, duke e përdorur si mjet censure ndaj personave që nuk të pëlqejnë ty personalisht. Sado që të flet me “NE”, ti flet vetëm në emrin tënd. Nëse grupi koordinues ka diçka për të thënë për këtë gjë, le të dale me deklaratë publike. Gishtin për tërheqjen e flamurit duhet ta drejtosh VETËM nga vetja!
Është e qartë që ty të duket vetja më patriot se ne të tjerët dhe me këtë i jep të drejtë vetes t’u heqësh shqiptarëve të tjerë të drejtën e fjalës, por është pikërisht KJO që ne nuk duam të jetë pjesë e Shqipërisë së re. Diktatura e çdo lloji s’ka vend në Shqipërinë që duam të nderojmë bashkërisht.
Flotilja kishte një mision të qartë që e ka shprehur publikisht: mbështetja PA KUSHTE e Revolucionit të Flamingove! Flotilja ka ndërmarrë këtë mision me ftesë të një pjese diasporës shqiptare, të cilëve ti dhe bashkëpunëtorët e ty u hoqën të drejtën e fjalës padrejtësisht.
Si një nga koordinatorët lokalë të misionit të Flotiljes, dua marrë borxh një shprehjen tënde dhe të të them shumë qartë: nuk guxon dot ti dhe s’ka bir nënë dhe bir kurve që më akuzojë mua për përçarje dhe futje të axhedave të huaja në protestë.
Unë kam qenë pjesë aktive e protestës që nga dita e Zvërnecit, nga ku filloi gjithçka. Kam qenë mbështetës, bashkëpunues dhe kam mbrojtur publikisht dhe privatisht grupin koordinues të protestës nga dita e parë e deri dje. Kam qenë pjesë e mbledhjes themeluese të grupit koordinues, por pa asnjë sqarim nuk jam bërë pjesë e tij në vazhdim. Megjithatë, mbështetja dhe bashkëpunimi im ka qenë i plotë dhe pa kushte.
Deklaroj publikisht se marrëdhënia jonë, si personale ashtu edhe me grupin koordinues, ka ndryshuar pakthyeshmërisht. Unë jam fyer, përçmuar dhe prerë në besë nga ju! Po ta them nga larg, por do ta them edhe nga afër, që i keni shkelur në kallo personit të gabuar.
Unë, Baki Goxhaj, nuk pres asnjë më pak sesa KËRKIM FALJEJE nga ty personalisht dhe nga anëtarët e grupit koordinues që kanë qenë dakord që t’i hiqe e drejta fjala diasporës së Flotiljes.
Shihemi në shesh!