Piromani kapet duke vënë zjarret në Mirditë, arrestohet! Lamallari apel drejtësisë: Prokuroria dhe Gjykata t’i shkojnë deri në fund çështjes!

Policia e Shtetit ka arrestuar një të dyshuar si piroman ditën e sotme.
Madje në një video të shpërndarë edhe nga ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, theksohet se ky person kishte vendosur 3 vatra zjarri dhe dyshohet për të tjera.
Piromani i dyshuar shihet teksa ndez zjarret në zonën e Mirditës.
Lamallari, nëpërmjet një postimi në rrjetin social, apelon ndaj organeve të drejtësisë që me provat që tashmë Policia ka gjetur, të vendosin drejtësinë deri në fund.
“Pamjet janë të qarta: Policia ka arrestuar në flagrancë ditën e sotme një autor të dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme, pasi dyshohet se ka ndezur disa vatra zjarri në Mirditë. Një piroman, banues në fshatin Gziq të Rrëshenit, qartësisht i vë zjarrin 3 vatrave të zjarrit në fshatin e tij duke djegur një sipërfaqe pyjore prej 400m², e cila fatmirësisht u vu nën kontroll nga shërbimet policore të Mirditës, të cilat ishin në ndjekje në terren prej tre ditësh. Ky shtetas dyshohet si autor i disa zjarrvënieve të tjera në territorin e Bashkisë Mirditë. Vatra të tjera u parandaluan nga arrestimi i tij në flagrancë nga Policia e Shtetit. Tani është radha e drejtësisë”, thprehet ministri ndër të tjera.
Lamallari shprehet i bindur se Policia do vijojë goditjen e fenomenit kriminal dhe arrestimin e autorëve, por sipas tij akti më i keq mbetet mosreagimi.
“Zjarri i qëllimshëm është krim me autor. Mosreagimi në kohë dhe me gjithë forcën dhe mekanizmat e ligjit është ‘fatkeqësia’ e vërtetë!”, shkruan ai.
Reagimi i plotë i ministrit Besfort Lamallari:
“Zjarret nuk janë “fatkeqësi”. Kur janë të qëllimshme, janë krim i cili është i destinuar të përsëritet nëse shkon pa ndëshkuar me gjithë forcën e ligjit dhe drejtësisë!
Pamjet janë të qarta: Policia ka arrestuar në flagrancë ditën e sotme një autor të dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme, pasi dyshohet se ka ndezur disa vatra zjarri në Mirditë.
Një piroman, banues në fshatin Gziq të Rrëshenit, qartësisht i vë zjarrin 3 vatrave të zjarrit në fshatin e tij duke djegur një sipërfaqe pyjore prej 400m², e cila fatmirësisht u vu nën kontroll nga shërbimet policore të Mirditës, të cilat ishin në ndjekje në terren prej tre ditësh.
Ky shtetas dyshohet si autor i disa zjarrvënieve të tjera në territorin e Bashkisë Mirditë. Vatra të tjera u parandaluan nga arrestimi i tij në flagrancë nga Policia e Shtetit.
Tani është radha e drejtësisë.
Apeli im për Prokurorinë është i drejtpërdrejtë: kjo çështje duhet të shkojë deri në fund. Hetim i plotë, prova të plota dhe përgjegjësi penale për autorin, nëse fajësia provohet ashtu siç dhe vetë autori e ka pranuar në momentin e arrestimit të tij.
Asnjë autor i zjarrvënieve të qëllimshme nuk duhet të llogarisë se do t’ia hedhë paq.
Jo në Mirditë.
Jo në Krujë.
Jo në Lurë, Dibër.
Jo askund në Shqipëri.
Policia ka referuar disa raste dhe do të vijojë të bëjë detyrën e saj për të identifikuar dhe arrestuar autorët. Prokuroria dhe gjykatat duhet të bëjnë të tyren: të sigurojnë që krimi të mos mbetet pa ndëshkim.
Zjarri i qëllimshëm është krim me autor. Mosreagimi në kohë dhe me gjithë forcën dhe mekanizmat e ligjit është ‘fatkeqësia’ e vërtetë!”.