Ditëlindja e 33-të e gjen Zëvendësministre, Ina Majko e para vajzë nga komuniteti rom në Qeveri: Nuk harroj kurrë nga vij dhe për kë jam këtu!
Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Ina Majko feston sot ditëlindjen e 33. Ajo është e para vajzë nga komuniteti rom në kabinetin qeveritar të drejtuar nga kryeministri Edi Rama dhe në mesazhin e kësaj dite të veçantë, falenderon ata që i besuan.
“33 vjeç sot. Që e vogël më treguan si ta ul zërin ndaj unë bëra të kundërtën. Mësova të mos hesht. Ngrita zërin jo për të bërtitur, por për të hapur dyer. Ndaj sot dua t’ju them veç një fjalë: FALEMINDERIT”, shkruan Ina.
Fjalët e zëvendësministres i drejtohen familjes dhe miqve, mësuesve dhe njerëzve të politikës që i dhanë një shans një vajze nga një komunitet i margjinalizuar, kur të tjerët panë e ndoshta ende shohin vetëm dallimet, thotë ajo.
“Jam këtu prej jush: familjes që më dha rrënjët e forcës sime; miqve që nuk më lanë të dorëzohem; mësuesve, mentorëve dhe zërave të shoqërisë civile që më udhëhoqën; kolegëve që ndajnë e punojnë fort për të njëjtin mision; dhe atyre që mbajnë përgjegjësi publike (në qeveri e politikë) që besuan te një vajzë nga një komunitet i margjinalizuar, kur të tjerët panë e ndoshta ende shohin vetëm dallimet”, shkruan Ina Majko.
Zëvendësministrja thekson se nuk do të harrojë kurrë nga vjen dhe për kë është në qeveri.
Ina Majko kandidoi në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit nën siglën e Partisë Socialiste në qarkun e Vlorës ndërsa nuk arriti të siguronte votat e mjaftueshme për të dalë deputete. Ina Majko tashmë është e para zëvendësministre e konfirmuar e kabinetit qeveritar.
Asaj i është besuar ky post, si një premtim i Edi Ramës se nëse nuk zgjidhej deputetet, do të emërohej në Ministri.