Pavlefshmëria absolute, dy interpretime: Çfarë mësojnë juristët dhe çfarë vendosi gjyqtari Balliu në çështjen Veliaj

Gjykata Administrative zbardhi ditët e fundit vendimin për mosshqyrtimin e padisë së kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili kërkoi shpalljen e pavlefshmërisë së mandatit të prokurorit Ols Dado, për arsye se ai është emëruar pa pasur Shkollën e Magjistraturës dhe në shkelje të ligjeve të kohës.

Vendimi i gjyqtarit Hazbi Balliu ka ngjallur habi mes komunitetit të juristëve, jo vetëm pse lidhej me një çështje me interes të lartë publik, porse duket se është dhënë në një interpretim krejt të kundërt me çfarë mësojnë studentët i së drejtës administrative nga teksti universitar “E drejta Administrative Proceduriale” e Prof. Dr. Sokol Sadushi (botimi 2017).

Po çfarë rezulton nëse bëhet një krahasim mes asaj që shkruhet në tekstin universitar “E drejta Administrative Proceduriale” dhe asaj që vendosi Gjyqtari Hazbi Balliu në vitin 2026, në çështjen e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës.

1. Kush mund të kërkojë konstatimin e pavlefshmërisë absolute?

E Drejta Administrative Proceduriale:

“Përderisa pavlefshmëria absolute e aktit është një gjendje që dëshmon për inekzistencën dhe nulitetin e aktit që nga momenti i nxjerrjes së tij, atëherë për konstatimin e kësaj pavlefshmërie nuk kërkohet domosdoshmërisht subjekti specifik i lidhur drejtpërdrejt me aktin.”

Vendimi i Gjyqtarit Hazbiu:

“Edhe nëse hipotetikisht një akt administrativ do të ishte absolutisht i pavlefshëm, e drejta për të kërkuar goditjen e tij në rrugë gjyqësore i njihet vetëm atyre personave të cilët provojnë se preken drejtpërdrejt dhe konkretisht nga pasojat juridike të këtij akti.”

E Dr.Pr. Administrative: nuk kërkon lidhje të drejtpërdrejtë me aktin.

Gjyqtari Balliu: kërkon detyrimisht interes të drejtpërdrejtë.

2. Çfarë është pavlefshmëria absolute?

E Drejta Administrative Proceduriale:

Pavlefshmëria absolute është një gjendje objektive e nulitetit të aktit.

Vendimi i Gjyqtarit Hazbiu:

Edhe nëse akti është absolutisht i pavlefshëm, kjo nuk mjafton; duhet të provohet legjitimimi procedural aktiv.

E Dr. Adm. Proceduriale: pavlefshmëria absolute është një cilësi objektive e aktit.

Gjyqtari Balliu: pavlefshmëria absolute kushtëzohet nga interesi procedural i paditësit.

3. Interpretimi i nenit 110 të Kodit të Procedurave Administrative

E Drejta Administrative Proceduriale:

Neni 110/2 lejon konstatimin e pavlefshmërisë nga çdo i interesuar.

Vendimi i Gjyqtarit Hazbiu:

Neni 110 duhet interpretuar së bashku me nenin 15 të Ligjit nr. 49/2012 dhe “çdo i interesuar” nënkupton vetëm subjektin që provon interes të drejtpërdrejtë.

E Dr. Adm. Proceduriale: interpretim i drejtpërdrejtë i nenit 110.

Gjyqtari Balliu: interpretim kufizues përmes nenit 15 të Ligjit nr. 49/2012.

4. Konstatimi kryesisht i pavlefshmërisë

E Drejta Administrative Proceduriale:

Gjykata mund ta konstatojë edhe kryesisht pavlefshmërinë absolute.

Vendimi i Gjyqtarit Hazbiu:

Gjykata nuk hyn fare në shqyrtimin e pavlefshmërisë absolute, pasi ndalet në mungesën e legjitimimit procedural.

E Dr. Adm. Proceduriale: gjykata ka kompetencë të veprojë edhe ex officio.

Gjyqtari Balliu: gjykata nuk ushtron këtë kompetencë.

5. Detyrimi i organit publik

E Drejta Administrative Proceduriale:

Neni 111 i KPA-së e detyron organin publik ta konstatojë pavlefshmërinë absolute sapo vihet në dijeni për rastet e nenit 108.

Vendimi i Gjyqtarit Hazbiu:

Arsyetimi i gjykatës ndërtohet mbi ekzistencën ose mungesën e interesit procedural të paditësit.

E Dr. Adm. Proceduriale: organi publik ka një detyrim për të reaguar ndaj pavlefshmërisë absolute.

Gjyqtari Balliu: analiza ndalet tek legjitimimi i paditësit, pa arritur te detyrimi objektiv i organit.

Pra, kemi përballë një tekst universitar që prej vitesh përdoret në formimin e juristëve shqiptarë dhe një vendim gjyqësor që, në një çështje me interes të jashtëzakonshëm publik, zgjedh një interpretim diametralisht të kundërt.

Pyetja që mbetet:

Përse Gjyqtari Balliu zgjodhi t’i largohet një standardi të konsoliduar pikërisht në këtë çështje?

A ka pasur raste të ngjashme ku gjyqtari ka mbajtur qëndrim të ndryshëm nga rasti Veliaj?

TEMA

Back to top button
LAJMET E FUNDIT