Një person i vë zjarrin kazanëve të plehrave në Durrës, digjen 10 prej tyre, dëmtohen edhe tre mjete të parkuara! Policia kërkon autorin

Sezoni i verës ka shpërthyer edhe vatrat e zjarrit në vend prej disa javësh, ku harta e tyre zgjerohet çdo ditë.
Një seri vatrash që dyshohet të jenë të qëllimshme kanë rënë edhe sot në mëngjes në Durrës, ku informohet se janë djegur 10 kazanë mbetjesh dhe janë dëmtuar nga flakët 3 automjete të parkuara.
Policia tha se zjarri i parë është regjistruar në rrugën “Enver Velja”, pranë shkollës 9-vjeçare “Kushtrimi i Lirisë”, ku në flakë u përfshinë 8 kazanë mbetjesh.
Për shkak të përhapjes së shpejtë të zjarrit, flakët kanë përfshirë edhe tre automjete të parkuara përgjatë së njëjtës rrugë.
Pak më vonë, edhe 2 kazanë të tjerë mbetjesh janë djegur në dy pika të ndryshme të rrugës “Mujo Ulqinaku”, duke e çuar në 10 numrin total të kazanëve të shkrumbuar, si dhe dëmtimin e 3 mjeteve të parkuara aty pranë.
Dyshohet se autori ka lëvizur nga rruga “Enver Velja”, ku dyshohet se i ka vënë zjarrin 8 kazanëve, drejt rrugës “Mujo Ulqinaku”, ku më pas janë djegur edhe dy kazanë të tjerë.
Forcat zjarrfikëse ndërhynë dhe arritën të vinin flakët nën kontroll, duke shmangur përhapjen e mëtejshme të zjarrit.
Policia tha se bëhet fjalë për zjarrvënie të qëllimshme dhe se të gjitha rastet janë kryer nga i njëjti autor.
Policia po heton për gjetjen e autorit dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.