Fitoi me nokaut ndaj Thomas Narmo, boksieri Nelson Hysa: Kjo fitore është e të gjithë shqiptarëve!

Boksieri shqiptar Nelson Hysa ka shënuar një nga sukseset më të mëdha në karrierën e tij, duke triumfuar me nokaut në raundin e dytë ndaj norvegjezit Thomas Narmo, i cili deri në këtë përballje mbante një rekord të pamposhtur.
Ndeshja u zhvillua në O2 Arena të Londrës, në një spektakël ku Hysa dhuroi një paraqitje të shkëlqyer, duke e nokautuar kundërshtarin vetëm 36 sekonda pas fillimit të raundit të dytë. Pas goditjes së fortë, boksieri norvegjez u detyrua të merrte edhe ndihmë me oksigjen në ring, ndërsa Hysa festoi fitoren historike së bashku me qindra tifozë shqiptarë që kishin mbushur shkallët e arenës.
Përmes një mesazhi emocional pas ndeshjes, boksieri shqiptar theksoi se ky triumf nuk i përket vetëm atij personalisht. “Mbrëmë në një O2 Arena të mbushur me shqiptarë, realizuam një ëndërr të madhe. U shpalla Kampion i Globit, duke fituar me nokaut në raundin e dytë. Por kjo fitore nuk është vetëm e imja, është e të gjithë shqiptarëve që ishin aty, që më mbështetën dhe që e bënë atmosferën magjike”, u shpreh Hysa, duke paralajmëruar se ky sukses është vetëm fillimi i rrugëtimit të tij ndërkombëtar.
Me këtë fitore, Nelson Hysa ruan rekordin e tij perfekt në boksin profesionist me 25 fitore radhazi, ndërsa synon sfida të reja ndaj kundërshtarëve të nivelit të lartë për të luftuar për tituj edhe më të mëdhenj.