Arkëtimet në buxhet kalojnë shifrën 484 miliardë lekë, të ardhurat rriten me 11.8% në 7 muaj!

Të ardhurat e buxhetit të shtetit arritën në 484.6 miliardë lekë gjatë periudhës janar-korrik 2026, duke realizuar 100% të planit për këtë periudhë.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, të ardhurat u rritën me 51.1 miliardë lekë ose 11.8%.

Ndërkohë, shpenzimet e përgjithshme publike arritën në 433.2 miliardë lekë, me një realizim prej 98.2% të planit të shtatëmujorit. Në krahasim me janar-korrikun 2025, shpenzimet u rritën me 31.3 miliardë lekë ose 7.8%.

Të dhënat paraprake të Ministrisë së Financave tregojnë se të ardhurat e mbledhura nga Tatimet dhe Doganat arritën në 307.9 miliardë lekë, 20.8 miliardë lekë ose 7.3% më shumë se një vit më parë.

Nga të ardhurat tatimore të administratës tatimore, TVSH-ja neto e mbledhur në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale dhe taksat kombëtare sollën 165.9 miliardë lekë. Kjo shifër është 15.7 miliardë lekë ose 10.4% më e lartë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Të ardhurat nga TVSH-ja neto arritën në 49 miliardë lekë, me një rritje prej 25.1% krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, nga tatimi mbi të ardhurat personale u mblodhën 56.6 miliardë lekë, 17.3% më shumë se në shtatëmujorin e vitit 2025.

Nga tatimi mbi fitimin u arkëtuan 34.6 miliardë lekë, ndërsa nga taksat kombëtare 25.6 miliardë lekë. Të ardhurat nga fondet speciale, ku përfshihen sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, arritën në 117.6 miliardë lekë. Krahasuar me shtatëmujorin e vitit të kaluar, ato u rritën me 13.9 miliardë lekë ose 13.4%.

Edhe të ardhurat doganore shënuan rritje. Ato arritën në 142 miliardë lekë, 5.2 miliardë lekë ose 3.8% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Brenda të ardhurave doganore, TVSH-ja në import solli 94.4 miliardë lekë, akciza 40.5 miliardë lekë, ndërsa taksat doganore 6 miliardë lekë. Renta minerare nga eksportet arriti në 1.1 miliardë lekë.

Sa i përket shpenzimeve, shpenzimet kapitale arritën në 49.1 miliardë lekë, duke realizuar 96.3% të planit të shtatëmujorit. Krahasuar me një vit më parë, ato u rritën me 10.1%.

Shpenzimet korente, që përfshijnë shpenzimet e përditshme të shtetit, arritën në 384.1 miliardë lekë, me një realizim prej 98.5% të planit. Në krahasim me janar-korrikun 2025, ato u rritën me 7.5%. Në total, për shtatë muajt e parë të vitit, të ardhurat e buxhetit ishin rreth 51.4 miliardë lekë më të larta se shpenzimet publike.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT