Alarm në Europë! Financial Times: Irani po shqyrton goditjen e bazave amerikane në Bullgari e Qipro

Irani ka marrë në konsideratë goditjen e objektivave ushtarake amerikane në Evropën Jugore dhe Juglindore nëse Presidenti Donald Trump vendos të përshkallëzojë konfliktin, raporton Financial Times, duke cituar dy persona të afërt me regjimin e Teheranit.

Sipas burimeve, forcat iraniane mund të ndërmarrin sulme të mundshme ndaj aseteve amerikane në vende si Bullgaria, e cila muajin e kaluar autorizoi përdorimin e Bazës Ajrore Bezmer për të furnizuar me karburant avionët ushtarakë amerikanë. Qiproja thuhet gjithashtu se mund të vihet në shënjestër, pasi një bazë britanike në ishull u godit nga një dron në mars.

Irani nga ana tjetër ka paralajmëruar shtetet e Gjirit të mos ndihmojnë forcat ushtarake amerikane, duke argumentuar se çdo formë bashkëpunimi do të përbënte përfshirje në konflikt.

Paralajmërimi erdhi nga Ali Abdollahi, shefi i shtabit të forcave të armatosura iraniane. Sipas Al Jazeera Abdollahi tha se asgjë që po ndodh në rajon nuk është “e fshehur nga sytë tanë”.

Gjenerali përmendi konkretisht praninë e avionëve të shumtë ushtarakë, veçanërisht avionëve të furnizimit ajror, në bazat në rajon, duke argumentuar se do të ishte e vështirë të shpjegohej një prani e tillë pa dijeninë e vendeve që strehojnë objektet.

“Ne paralajmërojmë: çdo ndihmë dhe lehtësim për ushtrinë agresore amerikane është ekuivalente me pjesëmarrjen në forcat ushtarake amerikane”, tha Abdollahi.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT