Presion i fortë ndaj Infantinos! Izraeli i bashkohet vendeve që i “kthejnë shpinën” kreut të FIFA-s

Presioni ndaj Gianni Infantinos po rritet. Izraeli ka vendosur të tërheqë zyrtarisht mbështetjen për rizgjedhjen e tij në krye të FIFA-s, duke u bërë federata e radhës që distancohet nga kreu i futbollit botëror.
Vendimi është bërë i ditur përmes një letre të presidentit të Federatës Izraelite të Futbollit, Moshe Zuares, i cili ka shprehur shqetësimin për situatën aktuale brenda institucioneve drejtuese të futbollit.
Në letrën e tij, Zuares e përshkroi situatën si një “krizë të paprecedentë besimi” mes FIFA-s, UEFA-s dhe konfederatave të tjera, duke argumentuar se mosmarrëveshjet rreth drejtimit të futbollit botëror tashmë kanë marrë përmasa të thella.
Ky zhvillim vjen në një periudhë të vështirë për Infantinon, i cili është përballur me kritika lidhur me një projekt të braktisur për përfshirjen e investitorëve privatë në të drejtat komerciale të Kupës së Botës. Situata u komplikua edhe më tej pas largimit të drejtuesit të operacioneve të FIFA-s, Kevin Lamour, i cili kishte kritikuar këtë projekt.
Me tërheqjen e Izraelit, lista e federatave që kanë marrë distancë nga Infantino zgjerohet. Më herët, qëndrime të ngjashme kanë mbajtur Anglia, Uellsi, Skocia, Irlanda, Shqipëria dhe së fundmi Zelanda e Re e Izraeli. Gjithë UEFA, Konfederata e Amerikës së Veriut dhe Qëndrore (veç Meksikës) dhe ajo e Azisë janë kundër Infantinos.
Italo-zvicerani është në krye të FIFA-s që prej vitit 2016 dhe synon të vijojë drejtimin edhe pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2027. Megjithatë, zhvillimet e fundit kanë shtuar presionin mbi presidentin, i cili, pavarësisht kundërshtimeve të reja, vazhdon të gëzojë mbështetje të rëndësishme nga disa konfederata dhe federata kombëtare.