Si mund t’i imponohen të rinjtë sistemit politik?

Në gjithë këto vite tranzicion, angazhimi i të rinjve në politikë është parë si një kërkesë dhe madje si nevojë e domosdoshme për vendin.

Në fillim vitet 90’ kur edhe u shemb sistemi komunist duhet thënë që u ngjallën shpresa të mëdha se më në fund vendi do të kishte një elitë të re polittike, e cila do të bënte të mundur realizimin e ëndrrës së hershme: “për një shqipëri si gjithë evropa”.

E teksa kaluan tre dekada kërkesa mbetet po e njëtë. E vetmja gjë që ka ndryshuar është besimi, i cili duhet thënë është tkurrur shumë nga viti në vit.

Kjo kryesisht për shkak të klasës politike, por jo vetëm, edhe për shumë faktorë të tjerë që nuk janë objekt i trajtimit të këtij artikulli.

Përfshirja e të rinjve dhe angazhimi i tyre në politikë është parë e është kthyer gjithmonë në një mjet përdorimi për maksimizim votash në zgjedhjet e rradhës, dhe nuk është trajtuar asnjëherë me seriozitetin që i takon kësaj çështje.

Sesa janë angazhuar e faktorizuar të rinjtë shqiptarë në politikë, mjafton të hedhës sytë rrotul në partitë kryesore, se ato të voglat janë kthyer në parti personale prej kohësh. Në partitë kryesore në vend nuk gjen thuajse asnjë të ri që është në krye të tyre.

Figurat dhe elitat politike në vend janë ato të njëjtat e viteve të “shembjes” së komunizmit, ku me ndonjë përjashtim janë vënë në krye edhe pasardhësit e tyre.

Përtej konstatimeve që tashmë mund t’i bëjë fare kollaj çdo njeri i thjeshtë në këtë vend, ajo për të cilën vendi ka nevojë emergjente është “imponimi” dhe jo thjeshtë përfshira e të rinjve në politikë.

Kjo sepse përfshirja e të rinjve në politikë është parë përherë si një lloj fushate, tej asaj zgjedhores dhe qëllimi kanë qenë gjithmonë votat, dhe jo në thelb forcimi dhe faktorizimi i të rinjve.

Ndaj mënyra që sot të rinjtë t’i imponohen sistemit dhe klasës politike në tërësi është vetëm duke u angazhuar, bashkuar, dhe duke aftësuar veten.

Pa u angazhuar vetë nuk mund të presim që gjërat të ndryshojnë vetvetiu e aq më pak me vullnet të klasës politike aktuale. Pa u bashkuar ne do jemi gjithmonë shumë pak dhe nuk do merremi seriozisht. E pa qenë të përgatitur dhe të aftë do shihemi vetëm si shifra sado që të jemi.

Pra këto tre elementë nuk mund të shkojnë veçmas.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT