VIDEO / Tërmet i fuqishëm 7.1 ballë në Japoni, paralajmërim për cunami

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.1 ballë goditi këtë të martë prefekturën Kumamoto në Japoni, sipas vlerësimeve të para të Agjencisë Meteorologjike Japoneze (JMA).

Lëkundja sizmike u regjistrua në orën 16:27 me orën lokale në ishullin Kyushu dhe arriti nivelin maksimal 7 në shkallën japoneze të intensitetit sizmik “Shindo”, e cila mat forcën me të cilën ndihet një tërmet në sipërfaqe.

Pas tërmetit, autoritetet japoneze lëshuan një paralajmërim për cunami me valë që mund të arrijnë deri në 1 metër lartësi.

“Deti dhe zonat pranë bregdetit janë të rrezikshme. Të gjithë ata që ndodhen në det duhet të dalin menjëherë nga uji dhe të largohen nga bregu. Duke qenë se rrymat detare mbeten të forta, qytetarët nuk duhet të hyjnë në det dhe as t’i afrohen vijës bregdetare derisa paralajmërimi të hiqet. Në disa zona, lartësia e valëve mund të tejkalojë nivelin e parashikuar”, thuhet në njoftimin e JMA.

Qeveria japoneze shpalli paralajmërim emergjent për prefekturat Kumamoto, Nagasaki, Kagoshima, Fukuoka, Saga, Oita dhe Miyazaki, të gjitha të vendosura në ishullin jugor Kyushu.

Kompania e energjisë Kyushu Electric Power njoftoi se deri më tani nuk janë raportuar probleme në centralet bërthamore Sendai dhe Genkai pas tërmetit. Ndërkohë, kompania hekurudhore JR Kyushu bëri të ditur se ka pezulluar përkohësisht qarkullimin e trenave.

Sipas Qendrës Amerikane të Paralajmërimit për Cunami në Paqësor (PTWC), nuk ekziston rrezik për cunami në Hawaii dhe Samoan Amerikane si pasojë e këtij tërmeti.

Japonia është një nga vendet me aktivitetin sizmik më të lartë në botë, ku mesatarisht regjistrohet të paktën një tërmet çdo pesë minuta.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT