Familje të fisnikëve shqiptarë në Koper – Slloveni

Prof. Irakli Koçollari

NJOFTIMET E PARA HISTORIKE PËR EMIGRIMET SHQIPTARE
Ende nuk ka një studim gjithëpërfshirës të valëve emigratore paramesjetare, mesjetare dhe të mëvona, të shqiptarëve në vendet e Europës e më gjërë, nëpër histori. Sa më shumë të ndjekësh këtë ikje për të gjetur cakun e shtegëtimit të parë, aq pa pritur konstaton se ka një tjetër ikje, emigrim më të hershëm, ka një ikje të panjohur në kohëra, shekuj dhe mugëtirat historike.

Nga kronikat e herëshme dokumentare, hë për hë, mësojmë se largimet e para masive të popullsisë arbërore drejt brigjeve të Europës Perëndimore gjenden të fikuara tek autorët romakë. Pushtimet e egra romake, të shekullit të II P. e. r. flasim për luftra të përgjakshme, shkatërrime masive, largime, shpopullime si dhe deportime massive të popullsisë si Ilirisë si skllevër në hapësirat e Perandorisë Romake.

Plutarku, Polibi etj na flasin për sklleverit ilirë të imbarkuar dhe deportuar drejt territoreve iltalike, mandej të përdour si fuqi krahu per ndërtimin e veprave publike ne Romë e gjetkë. Historiani dhe shkrimtari i nohur Italian, Rafael Xhovanjoli na flet per reparte të tëra skllevërish, luftëtarësh ilirë nën komandën e kryengritësit legjendar, Spartaku.

Shekuj më vonë, në “hrisobulat” byzantine të shekujve të XIII gjejmë dokumente për të tjera emigrime. Ato bëjnë fjalë për zbritje masive të shqiptarëve drejt Ballkanit jugor, në territorin kontinental dhe atë ishullor të Greqisë, aso kohe të shkretuar dhe të braktisur thellësisht. Zbritjet dhe nguljet e tyre qenë në Thesali, Beoti, Atikë, Peloponez, Qiklade, Eube.

Dokumentet bizantine na njoftojnë gjithashtu edhe për emigrime të tjera masive të shqiptarëve, po këtë shekull, në drejtim të perëndimit. Tërmeti i madh i shekullit të XIII që rafshoi Durrësin dhe shumë vendbanime të tjera të Arbërisë mesjetare detyroi popullsinë vendase për largime masive drejt Brindizit, Barit dhe Pulias në tërësi.
Ndërsa dokumentacioni venecian na bën me dije për valë të tjera emigrimesh të shqiptarëve drejt Gadishullit Italik. Tanimë ky emigracion i gjakut arbëror nuk shkon vetëm nga trojet e Arbërisë, por edhe nga vendbanimet e shqiptarëve në Peloponez, e më gjërë, që aso kohe ishin mjaft masive në ato anë.

Pushtimi osman i fillimit të shekullit të XV, i territoreve shqiptare shkaktoi një tjetër valë të re emigrimesh të dhimbshme. Rënia e qyteteve arbërore nën këtë sundim dhe egërsia e pashembullt e pushtuesit lindor detyroi largime të reja drejt Mbretërisë së Napolit, Venecia, Gjenova dhe më gjërë. Por, edhe më masive qenë emigrimet e popullisë arbërore drejt Italisë, në fundin e shekullit të XVI, mbas vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, dhe rënies përfundimtare të territoreve arbërore nën sundimin osman.

SHKAQET E EMIGRANTËVE
Sigurisht, shkaqet e emigrimeve, ende të pastudjuara, kanë qënë disa. Pati valë emigratore të shkaktuara për shkaqe politike, çka nënkupton të imponuara nga:
– konfliktet politike dhe ushtarake, të cilat shkaktuan fatkeqësi dhe rrënime që detyruan popullsitë vendase të braktisin vendbanimet dhe të marrin arratinë në vende të tjera me stabilitet me të dukshëm politik;
– Pati të tjera të imponuara nga fatkeqësitë natyrore, tërmete, përmbytje, inondata natyrore, zjarre massive, etj;
– Të tjera valë emigrimesh u imponuan për shkak të sëmundjeve të masive, kolerës, që ishte aq kërcënuese dhe shfarorëse në mesjetë …;
– Të tjera të realizuara në kuadrin e aleancave ushtarake, që jo rrallë bashkë me trupat ushtarake shkuan edhe familje dhe popullsi të tëra fshatrash.
– Të tjera, të imponuara nga pushtimet e egra, që kaluan në territoret arbërore, ato byzantine, gotë, ostrogotë, normanë, saracenë, dhe vecmas ai Osman, që detyroi largime massive si kurrë më parë…
– Të shkaktuara nga kryengritje të popullsië arbërore të shtypura me zjarr dhe me shpatë…, imponoi shkatërrime dhe për pasojë braktisje massive të vatrave atërore.

EMIGRIMET NEN SHEKUJT E BIZANTIT DHE PËRGJATË PUSHTIMIT OSMAN

Përgjatë shekujve të XII, XIII dhe XIV kishin filluar të formoheshin dhe ngjizeshin familjet fisnike arbërore, të konfiguroheshin dhe konsolidoheshin feudet e tyre, të rritesh dhe fuqizoheshin kontaktet dhe këmbimet tregtare me lindjen dhe perëndimin, për pasojë të dobësohej pushteti dhe fuqia autoritariste e pushtetit qëndror bizantin në hapsirat arbërore. Në këtë dualitet, të rritjes së fuqisë ekonomike, politike dhe ushtarake të elementit vendas nga njëra anë dhe përpjekjeve për të ruajtur autoritetin, pushtetin dhe privilegjet centriste perandorake nga ana tjetër, dokumentacioni bizantin na rrëfen se ato kishin shpënë jo rrallë në përballje dhe konflikte të përgjakshme ekstreme.
Janë ende të pastudiuara një numër revoltash të armatosura të krahinave të ndryshme arbërore me pushtetin qëndror bizantin, të cilat shfaqen në mënyrë spazmatike nga ky dokumentacion. Disa prej tyre qënë aq të fuqishme sa kanë detyruar vetë perandorët bizantinë të zbresin në këto anë, për të shtypur rebelimet dhe revoltat tronditëse, të cilat zgjatën për vite të tëra madje, disa dhjetë e njëzet vite, sikundër ato në Skrepario, Berat, Durrës e më gjërë.
Përgjatë ketyre shekujve, XIII dhe XIV dokumentacioni bizantin ndriçon ndoshta emigrimet e para dhe më masive të popullsisë shqiptare nga këto anë, sikundër ato të Zebnevisëve, Buajve, Mazarekëve, Loshave, etj., në territoret jugore të Ballkanit, Thesali, Atiko-Beoti, Eube, Peloponez, e gjetkë….
Por, ato më masivet dhe nuk do ta tepëronim të pohonim me pasoja të shpopullimeve masive i takojnë periudhës së pushtimit osman. Dokumentacioni osman dhe ai latin-venecian na tregon fare qartë për krimet dhe pasojat e tmerrshme që ranë mbi popullsinë shqiptare invazionet e pushtuesve lindorë, shkatërrimet masive të ekonomisë dhe vrasjet dhe masakra çka detyruan një pjesë vitale të popullsisë arbërore të emigronte drejt brigjeve italike. Ato fillojnë nga vitet 1390 dhe marin përmasa tronditëse pas rënies së Krujës dhe dorëzimit të Shkodrës e më pas, në fundin e shekullit të XV.

MBIJETESA E IDENTIETIT NACIONAL
Por, cili ishte fati i kësaj mërgate? Sa prej tyre u shuan dhe asimiluan në rjedhat e kohëve? Sa nga ata mundën të ruajnë identitetin nacional apo elementë të ndërgjegjes të gjakut të origjinës? Sa prej tyre përcollën kujtimin dhe vetëdijen për vendin prej nga vinin? Sa nga ata ruajtën elementë të identitetit, që në rrugët e mundimshme, në “botën e huaj” të rrëfenin për të parët dhe mëmëdheun e lënë larg?!
Cilat qenë shenjat, gjurmët apo instrumentet që imunizuan shtatin e tyre identitar nga stuhitë dhe erozionet asimiluese të kohëve?
Aty ku valët emigratore ishin të mëdha dhe të mërguarit i krijuan rishtazi vendbanimet e tyre, pra ndërtuan vetë fshatra apo edhe krahina të tëra, sigurisht qëndresa ndaj asimilimit ishte më efektive. (Kështu ndodhi në Greqi, në krahinat e Atikës, Argolidhës, Korinthisë, – në Itali nëzonat e Sicilisë, Kalabrisë, etj.) …. Kjo rrethanë krijoi mundësitë që mërgimtarët të krijonin dhe ndërtonin marrëdhënie ndërkomunitare martesore, të mos shkëpusnin zinxhirin e trashëgimisë breznor, pra të ruanin komunikimin interaktiv brenda gjakut apo gjuhës së tyre dhe për pasojë të ruanin vazhdimësinë e komunikimit gjuhësor, moral, zakonor, kulturor, dhe bashkë me to të vetë botës, identitetit dhe ndërgjegjes nacionale. Për këto arsye komplekse dhe të tjera, gjejmë edhe sot e kësaj dite banorët e shumë fshatrave apo krahinave në territoret e Greqisë dhe të Italisë të ruajnë dhe flasin gjuhën, veshjet, zakonet apo elemente të tjerë identitare arbërore. Në raste të tjera ata ruajnë vetëm elementë të vecantë të botës shpirtërore apo materiale të kozmosit arbëror.
***
Në radhët e shenjave dhe gjurmëve që bënin dhe bëjnë evidente këtë trashëgimi identitare nacionale, gjejmë:
a. Mbiemrat e një pjese të mërgimtarëve, lidhej me me racën apo apo emrin e atdhut nga ku ai ishte shkulur, të cilët e muarën atë si pasaportë identifikuese. Këto mbiemra e shquanin emigrantin në ambjentin ku ai kishte shtegëtuar. Të tillë janë mbiemrat Albanezi apo Albani – në botën latine, Arnauti- në Turqi dhe vendet arabe, Arvaniti apo Arvanitaqi – në Greqi, etj.
b. Një pjesë tjetër e të mërguarve mbajtën mbiemrat e njohur të fisnikërësë madje edhe titujt dhe stemat (heraldikën) e njohura familjare, në botën e madhe ku ata shtegtuan. Këto elementë ndikuan sa në identifikimin e tyre në botën e huaj aq edhe në konservimin brenda subkoshiencës së tyre të kujtimit se ata vinin nga një prej familjeve fisnike arbërore mesjetare. Të tillë ishin dhe janë Muzakajt (arbëreshë në Itali dhe në Greqi), Kastrioti (në Itali dhe Greqi), Arjaniti në Itali, Buajt, Spata, Losha, Mazreka (në Atikë, Beoti, Argolidhë, – Greqi dhe në Itali), Peta, Maneshi, në Itali, etj.
c. Një pjesë mori me vehte, ruajti dhe ruan ende si mbiemër emrin e vendbanimit, qytetit apo fshatit nga largohej: – da Avlona, (Mikele da Valona piktor, Itali), Avloniti në Greqi, Durrazo (arbëreshë dhe jo arbëreshë, familja e njohur fisnike në Gjenovë – Itali), Skutari (arbëreshë në Itali Kalabri, Venecia), Gjerbësi (arvanitë dhe arbëreshë), Likursi, Skrepari (arvanitë në Greqi), Mallakasa – ne Greqi,
d. Një pjesë mori për mbiemër emërtime në gjuhën shqipe të tipareve të veçanta trupore, fizike, sikundër Kukleshi (tek arvanitët në Greqi), Gjati, Shkurti, Këmbëthekra, Qorri, Koroveshi, Hunda (tek arvanitët në Greqi dhe në Itali), Miri, Bardhi, Zoti, Kriezoti, Bukura – në Greqi dhe në Itali
Të profesioneve që ushtronin tradicionalisht sikundër Blesi – ai që ble, Blusi – ai që bluan, pra mullixhiu, etj, etj…

ADRESAT E MUNGUARA TË EMIGRIMEVE DHE EMIGRNTËVE.
Por, sigurisht jo të gjithë arbërorët e larguar me valët emigratore i qëndruan mbijetesës identifikuese nacionale. Një pjesë e mirë e tyre, madje dominuesja iu nënshtrua asimilimit dhe tretjes graduale në vorbullat e mëdha të dinamikës së popujve të tjerë ku u vendosën. Proceset e mëdha të zhvillimeve urbane, infrastrukturore, revolucionet industrialë, zhvillimet dhe reformat kulturore dhe arsimore, mungesa e politikave mbështeëse për kultivimin dhe edukimin gjuhësor në vendet ku mbërritën emigrantët, në mjaft raste politikat kundërshtuese për t’i mbajtur dhe kultivuar ato – bënë që shumë prej valëve emigratore të asimilohen nën heshtjen vrastare…
Por, një tjetër arsye që ndrikoi në këtë asimilim ishte edhe mungesa e një shteti të mëvetësuar shqiptar, bashkë me të fuqitë e pakta intelektuale dhe shkencore, ndoshta edhe mundësitë e kufizuara politike dhe statiste për të ndjekur, evidentuar dhe mbështetur kronologjinë e të gjitha valëve emigratore, vendet e ngulmimit të tyre, qoftë në rastet e krijimit të venbanimeve të reja, qoftë kur ato u shtrinë në qendra apo vendbanime të njohura, ekzistuese urbane. Kjo gjë përcolli një boshllëk të madh sa për evidencat aq edhe për mbështetjen morale të këtij kontigjenti emigrator. Për pasojë shumë grupime emigrantësh, familje dhe individë u shuan apo humbën “adresat” e tyre identifikuese, madje kjo ndodhi gjer me pinjollët e familjeve të mëdha dhe fisnike arbërore.
Kështu ka ndodhur mes të tjerave edhe me njërën prej tyre, sikundër familjen fisnike e Dukagjinëve dhe vetë princin e njohur Lekë Dukagjini.

DUKAGJINËT, NJË DESTINACION I PANJOHUR.
Çuditërisht, për Lek Dukagjinin, këtë personazh të rëndësishëm të rezistencës antiosmane, këtë aleat të Heroit tonë Kombëtar dhe kodifikues të një monumenti të rëndësishëm ligjor, “Kanunit”, historiografia dhe fondet arkivore dokumentare, pas vitit 1481, nuk japin më asnjë informacion.
Ç’ndodhi me të dhe familjen e tij pas pushtimit osman? Ku shkoi, ku u vendos dhe ç’gjurmë la dera e Dukagjinëve në udhët e largëta të emigrimit? Asnjë burim nuk na ka bërë me dije gjer më tash për fatin e të parit të Dukagjinëve apo të pinjollëve që ai la pas!!!
Sigurisht, analiza e ngjarjeve të trishta të atyre kohëve të shtyn të mendosh se sikundër të gjitha famijet fisnike shqiptare të cilat u larguan drejt brigjeve të Italisë edhe fisniku shqiptar Lek Dukagjini duhet të ketë marrë rrugën e mërgimeve. Por, gjer më tani ai nuk shfaqet në burimet latine, ato napolitane, veneciane apo diku gjetkë në republikat apo monarkitë italike të kohës, ku shkoi vala më e madhe e emigrantëve!!!
Në hulumtimet e pakta për emigrimet arbërore të atyre shekujve, asnjë studim nuk është marrë specifikisht me vendet ku ato u ngulën, shtetet ku ata mbërritën, krahinat apo fshatrat konkretë ku trokitën dhe ndërtuan strehët dhe jetën e tyre. Sigurisht, është folur përgjithësisht për disa territore të njohura tradicionalisht sikundër brigjet Puljese, Kalabria, Sicilia, territoret e Mbretërisë së Napolit, Venecia, etj. Është bërë evidente gjithashtu edhe Zara në brigjet e Kroacisë si pika më fundore e shtegtimeve arbërore.
Por, papritur një pikë gjeografike, më e përtejme sesa Zara është shfaqur në vendngulmimet e emigrimeve arbërore të shekullit të XV, madje edhe më përpara se kjo kohë!
Është fjala për Koperin, këtë qytet në ekstremin verior të bregdetit Dalmat, të Sllovenisë. Ai është një vend i panjohur, nga të gjitha ato çka njohim tradicionalisht, si vendngulmime apo vendbanime të emigrimeve të njohura shqiptare në mesjetë. Është fjala për shtegtimet e emigrantëve arbërorë në mugëtirat e kohëve, në Kopër, madje edhe më gjërë se kaq, në Ister të Sllovenisë dhe gjer në Trieste.
Gjetja e dokumenteve autentike, zgjimi i informacioneve të heshtura dhe pothuaj të harruara, që na sjellin të dhëna mjaft interesante, të panjohura më parë, rreth emigrimeve, pranisë dhe kontributit arbëror në këto anë, është meritë e një studiuesi pasionant e të palodhur, të talentuar, të dedikuar me mish e shpirt ndaj gjakut arbëror, sllovenit Peter Stoka.

(Vijon numrin e ardhshëm)

Back to top button
LAJMET E FUNDIT