Shqipëria dërgon deri në 40 ushtarë në Gaza, zbardhet misioni dhe detyrat e Forcave të Armatosura

Shqipëria do të dërgojë deri në 40 ushtarë në operacionin ushtarak të Forcës Ndërkombëtare të Stabilitetit, në Gaza. Gjithshka është përcaktuar në projektligjin e miratuar nga Këshilli i Ministrave një ditë më parë.

Ndër të tjera në dokument përcaktohet se misioni i personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në operacionin ushtarak të Forcës Ndërkombëtare të Stabilitetit, në Gaza, do të jetë mbështetja e operacioneve të sigurisë dhe stabilitetit, mbrojtja e personelit, objekteve dhe infrastrukturës së misionit, mbështetja e operacioneve humanitare, monitorimi dhe raportimi i situatës së sigurisë si dhe detyra të tjera, në përputhje me mandatin e misionit, në kuadër të Bordit të Paqes.

Sa i përket trajtimit financiar, nënvizohet se ushtarakët pjesëmarrës në operacionin e Forcës Ndërkombëtare të Stabilitetit, në Gaza, përveç pagës mujore, përfitojnë dieta për ditët e qëndrimit në operacion, në masën që do të caktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

“Bordi i Paqes”, një iniciativë e presidentit amerikan Donald Trump, u themelua më 19 shkurt 2026, ku rreth 20 vende anëtare nënshkruan sipërmarrjen e re dhe njoftuan më shumë se 6.5 miliardë dollarë premtime financiare.

Investimi fillestar prej afërsisht 1.25 miliardë dollarësh do të shkojë për heqjen e municioneve, strehim të përkohshëm, siguri, furnizime mjekësore dhe nevoja të tjera, tha zyrtari. Rindërtimi i Gazës pritet të kushtojë rreth 53 miliardë dollarë, sipas një raporti të Bankës Botërore, OKB-së dhe Bashkimit Evropian.

Ndërkohë, sot presidenti i SHBA, Donald Trump, njoftoi se “Bordi i Paqes arriti një marrëveshje historike për çarmatimin e plotë të Hamasit dhe të gjitha grupeve të tjera të armatosura në Gaza. Ky është një hap monumental drejt paqes dhe sigurisë së qëndrueshme”, përfundon njoftimin presidenti Trump.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT