Sherr në Golem mes turistëve dhe punonjësve të një biznesi, në pranga menaxheri dhe një person tjetër

Një konflikt me sende të forta ka ndodhur në plazhin e Golemit, ku disa punonjës të një subjekti privat janë përfshirë në një përplasje fizike me 5 turistë turq.
Për ngjarjen në pranga kanë përfunduar D. K., 33 vjeç, dhe E. Q., 37 vjeç, menaxher dhe punonjës në hapësirën e plazhit, të cilët akuzohen për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” në bashkëpunim dhe “Prishja e qetësisë publike”, pasi dyshohet se kanë goditur me sende të forta dy pushues turq.
Ndërkohë, janë proceduar penalisht në gjendje të lirë I. Sh., 48 vjeç, dhe T. D., 49 vjeç, banakier dhe punonjës sigurie në të njëjtin subjekt, të cilët akuzohen për “Plagosje të lehtë me dashje” në bashkëpunim dhe “Kanosje”, pasi dyshohet se kanë goditur dhe kërcënuar tre pushues të tjerë turq.
Vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për përcaktimin e përgjegjësive ligjore të personave të përfshirë.