Përkeqësohet situata nga zjarri në Fier, flakët avancojnë drejt një lokali, pritet ndërhyrje nga ajri

Është përkeqësohet situata nga zjarri në Drizë të bashkisë së Fier, pasi flakët përfshinë një sipërfaqe me ullishte në fshatin. Mësohet se flakët po përhapen me shpejtësi të favorizuara nga era e fortë.
Situata paraqitet kritike, pasi zjarri po avancon drejt një lokali pranë zonës, duke rritur rrezikun për përhapje të mëtejshme. Në terren po punojnë intensivisht forcat zjarrfikëse të Fierit, Roskovecit, Patosit dhe Albpetrolit, të cilat po përpiqen të mbajnë nën kontroll flakët dhe të shmangin dëme të tjera.
Operacionit u janë bashkuar edhe banorët e zonës, të cilët po ndihmojnë zjarrfikësit me mjete rrethanore për izolimin e vatrës së zjarrit.
Sipas të dhënave paraprake, flakët ndodhen larg qendrës së banuar, por terreni i vështirë dhe mungesa e rrugëve hyrëse në parcelat me ullinj po e vështirësojnë ndjeshëm ndërhyrjen e mjeteve zjarrfikëse.
Autoritetet bëjnë me dije se pritet edhe ndërhyrja nga ajri për të bërë të mundur neutralizimin e zjarrit, ndërsa operacioni vijon me intensitet për të shmangur përhapjen e flakëve në sipërfaqe të tjera.