Operacioni “Game Over” në Divjakë, zbulohet lokal me lojëra fati, arrestohen pronari dhe kamarieri

Një lokal i përshtatur për zhvillimin e lojërave të fatit është zbuluar në Divjakë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Game Over”, ndërsa dy persona përfunduan në pranga.

Policia arrestoi pronarin e lokalit, shtetasin A. Ç., 52 vjeç, pasi dyshohet se në ambientet e biznesit të tij organizoheshin lojëra fati nëpërmjet kompjuterëve dhe telefonave celularë.

Në pranga përfundoi edhe kamarieri i lokalit, shtetasi E. Ç., 35 vjeç.

Sipas policisë, gjatë kontrollit të telefonit të tij celular u konstatuan faqe të ngjashme me ato të basteve sportive. Nga verifikimet rezultoi gjithashtu se ai ishte i punësuar në mënyrë të paligjshme, pa qenë i regjistruar pranë organeve kompetente.

Në cilësinë e provës materiale, policia sekuestroi 5 njësi kompjuterike, 1 DVR, 1 laptop dhe 5 telefona celularë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT