Nga Presidenti tek letrat me shkrim/ Si ndryshon procedura për betimin e gjyqtarëve?

Qëndrimet e presidentit ndaj mazhorancës së majtë kohët e fundit kanë qenë jo vetëm të forta, por konfliktuale dhe deri diku bllokuese.

Nga ana e kreut të shtetit qëndrimet e tij qoftë juridike, nëpërmjet mosdekretimit të shumë ligjeve të parlamentit, por edhe lëvizjet politike duke reaguar kundër akteve të ndërmarra nga qeveria justifikohen me faktin e papërgjegjshmërisë së kësaj të fundit, sipas presidentit.

Mjaft veprime të mazhorancës do të viheshin në pikëpyetje nga ana e presidentit, pasi sipas tij qeveria e Ramës po tenton të kapë në mënyrë totale insitucionet shtetërore.

Dalja e opozitës nga parlamenti dhe mospjesëmarrja e saj në zgjedhjet e qershorit do t’ia shtonin akoma më tepër këtë këtë bindje presidentit.

Veprimet ligjore për të ndalur qeverinë Rama nga ana e presidentit kanë qenë të disa llojeve, qoftë këtu pra kthimi për shqyrtim i ligjeve, dalja me raporte e mendime ligjore për kundërshtimin e nismave të qeverisë, apo edhe dërgimi në insitucione ndërkombëtare të disa akteve, përmendim këtu ligjin antishpifje dhe kërkesën për opinion drejtuar Komisionit të Venecias për zhdekretimin e zgjedhjeve të qershorit.

Të gjitha këto lëvizje në fakt e kanë “shqetësuar” qeverinë dhe kryeministrin Rama, ndaj ata janë munduar të gjejnë mënyra e formula për të mos i “trokitur” më në derë presidentit.

Pikërisht këtë gjë bënë edhe për të evituar nevojën e dekretimit të kandidatëve për antarë të Gjykatës Kushtetuese.

Nevoja e kësaj lëvizje do të lindte në momentin kur presidenti refuzoi të dekretonte një kandidate për anëtare të Gjykaytës Kushtetuese që ishte propozuar nga Parlamenti.

Refuzimi i presidentit e irritoi mazhorancën e Ramës, aq sa ata hartuan një projekligj për të ndryshuar  Ligjin nr. 8577, datë 10.02.2000, “për organizimin dhe funksionimin e gjykatës kushtetuese”, të ndryshuar”.

Në këtë mënyrë ata përcaktonin se tashmë kandidati për antarë të Gjykatës së Lartë në momentin kur nuk thirrej nga presidenti brenda afatit 10 ditor për të bërë betimin, atëherë kandidati për gjyqtar mund ta paraqesë në formë të shkruar betimin pranë organit të emërtesës ose pranë presidencës.

Amendimi është bërë si më poshtë vijon:

Në nenin 8, paragrafi 1, shtohet fjalia e dytë me këtë përmbajtje:

“Presidenti i Republikës organizon ceremoninë e betimit jo më vonë se 10 ditë nga data e zgjedhjes, emërimit ose shpalljes të emëruar të anëtarit të Gjykatës Kushtetutese. Nëse anëtari i Gjykatës Kushtetuese nuk thirret për të bërë betimin, pas përfundimit të këtij afati, ai kryen betimin në formë të shkruar  dhe ia dërgon atë Presidentit të Republikës, organit të emërtesës dhe Gjykatës Kushtetuese. Data e organizimit të ceremonisë së betimit ose data e dërgimit të betimit me shkrim, konsiderohet si dita e betimit dhe e fillimit të detyrës së gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe përfshihet në dosjen e tij personale. Në rast se gjyqtari nuk pranon të bëjë betimin, mandati i tij përfundon”

Me këtë ndryshim, të paktën mazhoranca e majtë nuk do ketë nevojë më që t’i “lutet” presidentit për dekretimin e antarëve të gjykatës së lartë.

Por sesa kushtetues është ky amendim, këtë do ta vërtetojë Gjykata Kushtetuese kur të jetë funksionale, sepse me gjasa siç shumë ligje të tjera edhe ky do të paditet pranë kushtetueses.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT