“Kemi më shumë armë se çdo shtet në botë!” SHBA hedh poshtë raportimet për shterim të municioneve

Pas ditësh bombardimesh pa ndërprerje, sinjale zbutjeje vijnë nga lufta SHBA-Iran. Republika Islamike deklaroi se do të ndërpriste sulmet për aq kohë sa Shtetet e Bashkuara do të bënin të njëjtën gjë.

Pas 13 netësh sulmesh intensive ajrore kundër Iranit, Pentagoni pezulloi fushatën të premten dhe, prej atëherë, nuk janë raportuar më bombardime.

Teherani, që po ashtu ka ndalur zjarrin gjatë fundjavës, tha përmes një zyrtari për agjencinë e lajmeve Reuters se pozicioni i tij mbetet “sulm për sulm”.

Megjithatë, situata në Ngushticën e Hormuzit mbetet e tensionuar, teksa Garda Revolucionare deklaroi të dielën se kishte ndaluar gjashtë anije.

Ambasadori i SHBA-së në OKB, Mike Waltz, tha për Fox News se vendimi për ndërprerjen e luftimeve ishte marrë për t’i dhënë më shumë kohë diplomacisë. “Siç ka thënë presidenti, ne jemi plotësisht të gatshëm për veprim dhe kemi dislokuar edhe më shumë mjete ushtarake në rajon. Megjithatë, ai po u jep hapësirë bisedimeve. Po u jep atyre pak kohë”, tha ai.

Zhvillimet vijnë mes raportimeve për debate brenda Shtëpisë së Bardhë lidhur me pakësimin e arsenalit ushtarak amerikan.

Ndërsa rifillimi i operacioneve mbetet një opsion, CNN raporton se zëvendëspresidenti JD Vance dhe gjenerali Dan McCain ishin të shqetësuar për rreziqet që lidhen me shterimin e municioneve, përfshirë interceptorët Patriot dhe sisteme të tjera të mbrojtjes ajrore.

Ndërkohë, The Wall Street Journal pretendon se Pentagoni kishte qenë gati të niste të premten një fushatë intensive sulmesh ajrore, e cila mund të zgjaste deri në dy javë, por operacioni u pezullua për të vlerësuar efektet e reduktimit të raketave Patriot dhe interceptorëve të tjerë.

E fortë ishte replika e Shtëpisë së Bardhë, e cila theksoi se SHBA-ja ka më shumë municione se çdo vend tjetër në botë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT