Integrimi në BE/ Komisioni i Ekonomisë miraton paketën me 5 projektligje për bizneset; nisin ndryshimet edhe për pronësinë intelektuale

Komisioni parlamentar për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, nën drejtimin e kryetares Milva Ekonomi, ka shqyrtuar një paketë të rëndësishme nismash ligjore dhe deputetësh që lidhen direkt me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Diskutimet u përqendruan në përmbushjen e detyrimeve për dy kapituj kyç: Kapitullin 6 (“E Drejta e Shoqërive”) dhe Kapitullin 7 (“Pronësia Intelektuale”).

Të pranishëm në komision për të mbrojtur projektligjet dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve ishin Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, zëvendësministrat Martin Kajo e Enkelejd Musabelliu, si dhe stafi teknik.

Ministrja Ibrahimaj nënvizoi se këto reforma bëjnë një përafrim të plotë të legjislacionit shqiptar me “acquis” të BE-së, duke rritur sigurinë juridike dhe duke e përgatitur sipërmarrjen vendase për tregun e përbashkët evropian.

Miratohen 5 projektligjet e Kapitullit 6 (E Drejta e Shoqërive)

Pas diskutimeve, komisioni i miratoi në parim, nen për nen (me disa riformulime teknike) dhe në tërësi pesë projektligjet e para, duke ia kaluar seancës plenare për votim:

“Për Statutin e Shoqërisë Evropiane (SE)” që transpozon rregulloren e BE-së dhe u jep mundësi kompanive shqiptare të organizohen sipas këtij modeli, duke lehtësuar aktivitetin dhe lëvizjen ndërkufitare me më shumë fleksibilitet.

“Për Grupimet Ekonomike me Interes Evropian (GEIE)” që fut për herë të parë në Shqipëri një instrument që u mundëson ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM) të koordinohen dhe bashkëpunojnë me partnerë evropianë për projekte, eksporte dhe programe ndërkombëtare.

“Për Shoqëritë Evropiane të Bashkëpunimit (SHEB)” ku njohja e këtij instrumenti u hap rrugën kooperativave, ndërmarrjeve dhe universiteteve të bashkojnë kapacitetet për projekte të përbashkëta zhvillimi me BE-në.

“Për kërkesat e transparencës për emetuesit e titujve financiarë” që prek tregun e kapitaleve duke vendosur standarde të qarta e transparente për raportimin financiar dhe zbulimin e strukturës së pronësisë për kompanitë e listuara.

“Për mbylljen e shoqërive tregtare me kapital shtetëror në likuidim”, e cila krijon një mekanizëm të posaçëm për të zgjidhur ngatërresën shumëvjeçare të mbylljes përfundimtare të shoqërive shtetërore që nuk funksionojnë më, por që ligjërisht figuronin ende në proces pa mbarim likuidimi.

Relatorët e kësaj pakete, deputetët Antoneta Dhima, Zamira Sinaj dhe Elton Korreshi, vlerësuan se këto nisma do të nxisin thithjen e investimeve të huaja direkte dhe do të harmonizojnë tërësisht kuadrin e shoqërive tregtare.

Në shqyrtim edhe 3 projektligje për Kapitullin 7 (Pronësia Intelektuale)

Mbledhja e komisionit vijoi me prezantimin e tre nismave të tjera që synojnë mbrojtjen e produkteve, traditës dhe sekreteve tregtare në vend.

Projektligji “Për disenjot”, i cili synon mbrojtjen më të fortë juridike të disenjove industriale, duke njohur rolin e madh që ato luajnë në aktivitetet tregtare të kompanive vendase dhe të huaja.

Projektligji “Për treguesit gjeografikë për produktet artizanale dhe industriale” që krijon bazën ligjore për të mbrojtur ato produkte shqiptare që fitojnë vlerë unike për shkak të origjinës, traditës së një zone të caktuar gjeografike dhe mjeshtërisë vendase.

Ndryshimet në ligjin “Për pronësinë industriale”, nismë e prezantuar nga deputetja Ilva Gjuzi, e cila synon mbrojtjen e sekreteve tregtare dhe të informacionit të pazbuluar që ka vlerë ekonomike për bizneset, sipas standardeve të BE-së.

Relatori Admir Kadeli vuri në dukje se këto ligje mbrojnë direkt artizanët shqiptarë dhe rrisin konkurrencën e ndershme në treg. Pas diskutimeve të para, komisioni vendosi që shqyrtimi i detajuar i këtyre tre projektligjeve të pronësisë intelektuale të vijojë në mbledhjet e radhës.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT