“Gati për bisedime me Kurtin”, Abdixhiku i mbijeton mocionit për shkarkimin e tij: Na duhet stabilitet

Pasi i mbijetoi mocionit për shkarkimin nga kryesimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku tha se është gati për nisjen e bisedimeve me Lëvizjen Vetëvendosje për krijimin e insitucioneve të reja të vendit.

Sipas tij, Kosova ka nevojë për stabilitet institucional. Pas dorëzimit të nënshkrimeve për nismën për shkarkimin e tij, Abdixhiku kishte pezulluar bisedimet me kreun e Vetevendosjes Albin Kurti, me të cilin u takua më 10 korrik dhe shprehu gatishmërinë për konsultime të mëtejshme, drejt një marrëveshje.

Kreu i LDK-së tha se nuk pranon marrëveshje që nuk ofron demokraci funksionale, ku pozitat shtetërore, Kuvendi, Qeveria dhe Presidenca t’i takonin një partie. Mungesa e një dakordësie sipas tij do të ishte fatkeqësi: “Nga nesër e tutje do të përpiqemi të vazhdojmë diskutimet aty ku kanë mbetur. Nga sot e heq atë pezullimin dhe LDK është e hapur të diskutojë tutje për institucionet”.

Mocioni për shkarkimin e Abdixhikut u inciua me nënshkrimin e mbi 100 delegatëve të LDK-së, për shkak të pakënaqësive me rezultatin në zgjedhjet parlamentare të qershorit. Ai i mbijetoi mocionit me 170 vota kundër shkarkimit dhe 152 pro. Kreu i LDK-së premtoi se nuk do të ketë hakmarrje për ata që ndërmorën këtë nismë, edhe pse shtoi se “rrugën s’mund ta bësh me ata që nuk besojnë”.

Ai tha se do të përpiqet ta bashkojë partinë, por jo duke bërë kompromis mbi vlerat. Pas lajmit se Abdixhiku mbetet në krye të LDK-së, i menjëhershëm ishte reagimi i ish-presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila në zgjedhjet e qershorit ishte bartëse e listës së LDK-së.

“Jo çdo fitore është e zakonshme. Disa fitore bëhen frymëzim. Kjo është njëra prej tyre”, shkroi ajo në Facebook.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT