Do zgjasë 6 javë dhe kushton 11 milionë euro, kreu i INSTAT: Në tetor nis Censi i bujqësisë dhe blegtorisë

Javën e parë të tetorit të këtij viti do të nisë ‘fotografimi’ i bujqësisë dhe blegtorisë shqiptare. Në komisionet parlamentare është miratuar projektligjin për Censin e Bujqësisë, i cili pritet të marrë vulën përfundimtare në Kuvend.

Drejtoresha e INSTAT tha në komisionin e Bujqësisë se censi do të zgjasë 6 javë dhe mbledhja e të dhënave do të bëhet sipas standardeve të BE-së.

“Java e tetorit është periudha e duhur sipas standardeve evropiane për tu realizuar censi i bujqësisë. Censi do të zgjasë 6 javë në terren. Informacioni do të mblidhet në terren nga 3400 anketues dhe 640 kontrollorë. Të gjitha informacionet që do të mblidhen do ti shërbejnë statistikave zyrtare. Delegacioni i BE-së ka dhënë fonde që ne të kemi ekspertizë për të mbledhur të dhënat statistikore për bujqësinë. Këto të dhëna më pas dërgohen në EUROSTAT, pastaj pasi të validohen na rikthehen përsëri”, tha Lantona Sado, drejtuese e INSTAT.

Përmes këtij procesi synohet të regjistrohet çdo metër tokë që mbillet, çfarë kultivohet, sipërfaqja e fermave bujqësore, makineritë që përdoren e deri tek të punësuarit në këtë sektor.

“Censi do të na japë mundësinë të mbledhim të dhëna mbi disa karakteristika e njësive ekonomike, informacione mbi tokën e punueshme, moduli mbi vreshtarinë, për kafshët, plehëruesit apo forcat e punës”, tha Sado.

Censi do të kushtojë rreth 11 milionë euro, dhe synon që ti japë institucioneve një panoramë mbi gjendjen e sektorit bujqësor dhe blegtoral, 16 vite pas censit të fundit që është bërë në 2012-ën.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT