Metodologjia e re, Soreca: Ekspertë nga të gjitha vendet e BE në Shqipëri

Një javë pas propozimit të Komisionit Europian për ndryshimin e metodologjisë së re të zgjerimit, Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca ka prezantuar modelin e ri në Tiranë.

Duke folur ditën e sotme në një konferencë për shtyp, Soreca deklaroi se metodologjia e re shuan edhe dyshimet e vendeve skeptike, duke iu ofruar t’i ndjekin hap pas hapi reformat nga afër.

Duke kujtuar se Franca kishte refuzuar që të jepte dritën jeshile për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për shkak se ishte skeptik me progresin e bërë nga këto dy vende, Soreca tha se me metodologjinë e re nuk do të ketë më hezitime.

“Javën e shkuar KE miratoi metodologji e re dhe do shpjegoj çfarë do te thotë kjo metodologji e re. Të gjithë ne e dimë që Samiti i KE nuk solli çeljen e negociatave, siç kishim shprehur të gjithë. Në veçanti kjo është arsyeja që KE është përpjekur të gjejë pse ka ndodhur kjo dhe të shohë se si procesi të jetë më i parashikueshëm. Ne duam të krijojmë besimin e fortë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipërisë dhe BE. Me këtë metodologji të re, udhëheqësit e BE do të kenë një debat në vit me ecurinë që do kenë bërë këto vende. Një element tjetër i rëndësishëm është se BE do i përfshijë më shumë shtetet anëtare lidhur me ecurinë. Ekspertët e shteteve anëtare do jenë pjesë e të gjitha ekipeve që do vijnë të bëjnë vlerësimin, së bashku me zyrtarët e BE”, u shpreh Soreca.

Ai bëri të ditur se kjo metodologji do iu japë mundësi të gjithë vendeve anëtare të BE të sjellin ekspertë në Shqipëri, për të parë nga afër reformat, përparimet por edhe për të bërë vlerësimet.

“Shtetet anëtare do kenë mundësi të ndjejnë pronësi mbi ato rezultate që do nxjerrin vetë zyrtarët e tyre.Do të sqarojmë qartë kushtet, që të mos ketë vagullësi me mënyrën se si do të gjykohet një shtet kandidat. Ne do të shkojmë me hollësi kriteret dhe kushte”, tha ambasadori.

Megjithatë, Soreca i dërgoi një mesazh aktorëvë poltikë në Shqipëri të jenë të bashkuar për të cuar përpara integrimin, duke thënë se nëse nuk ka hapa para nga vendi kandidat atëherë procesi i negociatave do të pezullohet ose anulohet.

“Do të kemi grupime të kapitujve të ndryshme, 6 kapituj me 35 fusha të ndryshme. Puna do jetë më dinamike. Për negociatat, puna më pas do jetë më gjithëpërfshirëse dhe nuk do jetë e ndarë në 9 fusha që s’ka lidhje me njëra- tjetrën. Shtetet anëtarë do të kenë mundësi që të kthejnë pas procesin e integrimit. BE do të mund të pezullojë madje edhe të ndalojë nëse kjo do të jetë e nevojshme. po diskutohet në Këshill dhe kemi besim se kjo metodologji i përmbush kërkesat e shteteve anëtare, në veçanti ato që ishin skeptike”, tha Soreca.

Megjithatë, diplomati i BE-së sqaroi se është ende në fazën e një propozimi që Komisioni Europian ka bërë për shtetet anëtare dhe që nëse do të arrihet dakordësia atëherë ai do të vihet në zbatim, por nuk dha një datë konkrete se kur kjo do të ndodhë.

” Ndoshta në kohën e samiit të Zagrebit mund të prezantohet plani vjetor, por është ende herët. Në mars, BE do të raportojë për progresin e bërë nga Shqipëria”, tha ai.

Më pas Soreca foli për paketën “Anti-KÇK”, që ka nisur prej disa ditësh operacionin për goditjen e pasurive të vëna nga aktiviteti kriminal.

Diplomati i BE tha se për zbatimin e këtij ligji janë me rëndësi jetike dy kushte bazë, së pari, sipas tij, duhen respektuar të drejtat e subjekteve të këtij ligji, dhe së dyti, të gjitha veprimet e policisë shqiptare duhet të konfirmohen nga SPAK.

“Mendoj që qasja të ndjekësh paratë është mënyra më e mirë për të luftuar krimin e organizuar. Mendoj se ky është drejtimi i ligjit KCK dhe mendoj se ky ligj tregon gatishmërinë politike për të adresuar problemin. Por, më e rëndësishme është zbatimi i këtij ligji, është kyç. Shohim dy kushte kryesore, që e drejta themelore e palëve të respektohen plotësisht, pra të subjekteve a personave që janë nën hetim, të drejtat e tyre duhet të respektohen, ky është një parakusht. Edhe asetet të sekuestrohen e konfiskohen, por duhet respektuar procesi i duhur ligjor. Do ta monitorojmë këtë, po i shohim nga afër këto hapa. Do flas edhe me SPAK”, tha ai.

“Kushti i dytë ka të bëjë me drejtimin e këtij operacioni. SPAK duhet të konfirmojë të gjitha veprimet e ndërmarra nga policia dhe duhet t’ia kalojë dosjet gjykatës për të marrë më pas vendimet. Ne monitorojmë informacionin që ekziston për të kuptuar nëse, psh të drejtat e personave të përfshirë në këto çështje, psh të ankimuar, të respektohen të drejtat e tyre. Ky është një ligj i rëndësishëm, i cili duhet të vihet në zbatim në përputhje me të gjitha kriteret e sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës”, deklaroi ambasadori Soreca.

Ambasadori i BE u shpreh se 97 % e shqiptarëve mbështesin integrimin e vendit në Bashkimin Europian dhe për shqiptarët nuk duhet të ketë plan‘B’ përveç anëtarësimit.

“Politikanët të bëhen bashkë për të mirën e vendit, duhet stabilitet. Sfida mbeten korrupsioni, punësimi dhe reforma në drejtësi. KE po mbledh informacionet për Shqipërinë. 92 % e shqiptarëve mendojnë se jeta e tyre do përmirësohet pas integrimit në BE”, tha Soreca.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT