Shpallet fituesi i projektit Milot–Balldren! Karakaçi jep lajmin, gati të nisë një nga investimet më të rëndësishme infrastrukturore në vend

Është shpallur fituesi i garës për ndërtimin e aksit rrugor Milot–Balldren, duke çuar drejt fazës së zbatimit një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në Shqipëri. Lajmi u bë i ditur nga Ministri I Infrastrukturës dhe Energjisë Enea Karakaçi në një komunikim publik.
Ky vendim vjen pas përfundimit të procesit të vlerësimit të ofertave të paraqitura në garën e zhvilluar nga autoritetet shqiptare. Procedura u mbyll në muajin tetor me tre oferta në garë dhe pa asnjë ankesë, ndërsa në muajt e fundit është zhvilluar shqyrtimi i dokumentacionit teknik dhe financiar të operatorëve pjesëmarrës.
Sipas vendimit, kompania fituese do të marrë përsipër ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e segmentit rrugor për një periudhë 35-vjeçare.
Aksi Milot–Balldren ka një gjatësi prej rreth 17 kilometrash dhe do të ndërtohet si autostradë e kategorisë A, duke zëvendësuar segmentin aktual të kategorisë C. Projekti nis në nyjen e Milotit, ku lidhet me aksin Thumanë–Kashar–Lekaj dhe Rrugën e Kombit, ndërsa përfundon në Balldren, në lidhje me aksin Tiranë–Shkodër.
Segmenti konsiderohet një hallkë strategjike e Korridorit Adriatiko–Jonian dhe pjesë e zgjerimit të rrjetit europian TEN-T në Ballkanin Perëndimor.