‘Duhet të krijojmë një treg të madh me rajonin’, biznesmeni Gjergj Luca: Produktet shqiptare tregtohen në të gjithë botën, vetëm ketu jo

Biznesmeni i njohur Gjergj Luca ka folur për situatën e shitjes së prodhimeve shqiptare në këtë situatë të krijuar nga koronavirusi.
Luca ka thënë se se tregu shqiptar është shumë i vogël, dhe Shqipëria ka nevojë për të krijuar një treg të madh për të mbështetur prodhimin vendas.
“Tregu i vendit tonë është shumë i vogël, kemi nevojë për një vend të hapur. Ne duhet të hapim një treg të madh me Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Serbinë që ne të mos prodhojmë një prodhim që e bën më lirë maqedonasi.Duhet të hapet një treg i madh. Prodhuesi është themeli i këtij vendi, pasi duke mbështetur prodhuesit, shtohen vendet e punës, ngrihet niveli ekonomik i konsumatorit. Mentaliteti ynë është i gabuar, privati konsiderohet armik”, tha Luca për Neës 24.
I pyetur nga gazetarja nëse kjo situatë e krijuar e kishte edukuar konsumatorin për të blerë më shumë produkte vendase, Luca tha se situata nuk kishte ndryshuar, por shqiptarët blejnë më shumë produktet e eksportuara, madje me çmim më të shtrenjtë, ndërsa produktet shqiptare rrallë figurojnë në raftet e supermarketeve.
“Të gjitha supermarketet e Italisë marrin prodhime nga kompani të mëdha, edhe nga unë.
Si ka mundësi që supermarketet këtu marrin açuken në Itali, ku ai e prodhon në Peru, Tunizi e vende të tjera? Peshku i Adriatikut është i jashtëzakonshëm.
Po të vish në supermarketet tona gjen produkte që s’dihet nga vijnë, 4-5 herë më shtrenjtë”, u shpreh ai.
Gjergj Luca theksoi se duhet të lirohen masat për baret dhe restorantet, duke ulur numrin e tavolinave dhe duke ruajtur distancën.
“Janë me qindra artikuj shqiptarë që konsumohen në restorante, le të lirohen pak masat.
Aty ku janë për 4 veta, të bëhet për dy. Ku është për 8, të bëhet për 4.
Duhet të konsumojmë prodhimet tona sepse janë shumë të rëndësishme”, tha biznesmeni Gjergj Luca.