Reforma territoriale/ “Nuk mund të ketë produkt final pa dëgjuar Tiranën”, Tabaku: Kryeqyteti është bërë i pamenaxhueshëm

Deputetja e Partisë Demokratike dhe anëtare e komisionit të posaçëm për Reformën Territoriale, Jorida Tabaku, ngriti shqetësimin për mungesën e përfaqësuesve të Bashkisë së Tiranës në dëgjesën e komisionit, por dhe mungesën e seriozitetit të një pjese të drejtuesve vendorë ndaj institucioneve të Parlamentit.
Gjatë mbledhjes së komisionit, Tabaku ngriti shqetësimin se nevojitet të zhvillohet një debat real për Tiranën, ku jeton mbi një e treta e popullsisë së vendit
“Meqënëse e diskutuam edhe më herët dhe na thatë që do na kthenit një përgjigje, si do procedohet për Bashkinë e Tiranës? Do kërkoni të vijë kryetari zyrtari i bashkisë sipas jush apo kryetarja e deleguar, apo deri tek Kryesministri, kushdo që mund të përgjigjet se kush e drejton 1/3 e vendit sot”, u shpreh Tabaku.
Tabaku ngriti shqetësimin se dy javë afër përfundimit të afatit ka ende 15 kryetarë bashkisë që nuk kanë ardhur në dëgjesa. “Do flasim për një reformë territoriale që vjen nga ky komision apo do bëjmë sikur po bëjmë një proces? Se nëse do bëjëm sikur është një proces askush nga opozita që është këtu nuk është dakord. As të ligjërojë një komision që vjen me një produkt të gatshëm dhe që në këtë komision nuk ndodhi praktikisht asgjë. Po besoj as ju, si deputetë, nuk ndiheni mirë nëqoftëse kemi këtë injorim ndaj institucioneve të Parlamentit”, u shpreh Tabaku.
Sipas saj Tirana është sot shembulli më i qartë i problemeve që reforma duhet të adresojë dhe se sot vendi ka nevojë për një reformë territoriale që i përgjigjet nevojave të qytetarëve.
“Sot Tirana është bërë e pamenaxhueshme. Ne po diskutojmë për shërbime që nuk shkojnë dot në qytete të vogla, ndërsa nuk po flasim për problemet e kryeqytetit”, deklaroi ajo.
Tabaku kërkoi sërish zhvillimin e dëgjesave në Dajt, Petrelë, Kashar, Zall Herr dhe Zall Bastar, duke argumentuar se vetëm përmes konsultimit të drejtpërdrejtë me qytetarët mund të matet ndikimi real i reformës territoriale dhe të shmanget një proces i diktuar nga interesat politike.