Pushimet verore dhe gjumi i fëmijëve, psikologia: Ruani rutinën për një zhvillim të shëndetshëm

Me përfundimin e vitit shkollor, rutina e fëmijëve dhe adoleshentëve ndryshon ndjeshëm. Përgjatë kësaj periudhe shtohet koha para ekraneve, ulet aktiviteti fizik dhe shpesh prishet edhe ritmi i gjumit. Kur jemi me pushime mund të tolerohet një largim i lehtë nga oraret e zakonshme të gjumit, por ai nuk duhet neglizhuar sipas psikologes klinike, Loreta Tomaj.

“Duke qenë se gjatë verës dita është më e gjatë, si të rriturit, ashtu edhe adoleshentët dhe fëmijët mund të shkojnë për të fjetur disi më vonë krahasuar me periudhën e dimrit, duke e kompensuar gjumin në orët e mëngjesit. Kjo u jep mundësi të shijojnë më shumë shëtitjet, aktivitetet në natyrë apo organizimet e ndryshme që zhvillohen në Bashkinë e Shkodrës dhe në zona të tjera gjatë stinës së verës“, tha Tomaj.

Aktivitetet e tjera për të mbushur kohën e lirë janë po aq të rëndësishme.

“Është e rëndësishme të krijohet një rutinë me rituale tipike për periudhën e verës, si leximi i librave, daljet me shoqërinë, frekuentimi i pishinës apo i plazhit, si edhe një orar gjumi më i përshtatshëm për këtë stinë. Megjithatë, pavarësisht ndryshimeve në orar, është e rëndësishme që gjumi të mbetet i rregullt dhe cilësor, pasi ai ndihmon në rigjenerimin e organizmit, përmirëson përqendrimin, humorin dhe aftësinë për të përballuar stresin“, tha ajo.

Gjumi i rregullt dhe cilësor ndihmon në rigjenerimin e organizmit, përmirëson përqendrimin, humorin dhe aftësinë për të përballuar stresin. Ruajtja e këtij ritmi edhe gjatë pushimeve verore ndikon pozitivisht në shëndetin fizik dhe emocional të njeriut, duke e përgatitur më mirë për rikthimin në rutinën e përditshme.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT